Kur është koha më e mirë për të matur pulsin - dhe çfarë do të thotë nëse në qetësi është mbi 90?
Vlera e pulsit në qetësi është numri i rrahjeve të zemrës gjatë 60 sekondave, kur trupi është plotësisht i relaksuar. Ky rezultat, i marrë në një mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë, mund të ofrojë një pasqyrë të rëndësishme mbi shëndetin kardiovaskular
Vlerat normale të pulsit në qetësi tek të rriturit variojnë nga 60 deri në 100 rrahje në minutë. Një puls disi më i lartë ose më i ulët nuk do të thotë automatikisht sëmundje. Pulsi rritet në gjendje stresi, ankthi dhe gjatë aktivitetit fizik. Megjithatë, është e rëndësishme të dimë ta masim saktë, pasi rezultati më i besueshëm merret kur pulsi kontrollohet në të njëjtën pjesë të ditës.
Çfarë ndikon në pulsit në qetësi?
Vlera disi më të ulëta të pulsit në qetësi vërehen shpesh te sportistët dhe personat në formë të mirë fizike dhe nuk janë shenjë sëmundjeje. Megjithatë, kur pulsi në qetësi është vazhdimisht mbi 90 rrahje në minutë, edhe pse ende brenda kufijve “normalë”, rekomandohet një kontroll te mjeku i familjes dhe, nëse është e nevojshme, te kardiologu. Mjekët theksojnë se pulsi i lartë nuk është gjithmonë arsye për shqetësim. Ai shpesh është pasojë e stresit, dehidratimit, gjumit të dobët ose faktorëve të tjerë të stilit të jetesës që e ngarkojnë sistemin kardiovaskular.
- Vlera e pulsit në qetësi ofron një pasqyrë të shpejtë mbi punën e zemrës, thotë kardiologu dhe specialisti i mjekësisë vaskulare dr. Ian Del Conde Pozzi, nga Baptist Health Miami Cardiac & Vascular Institute, i cili gjithashtu drejton Klinikën për hipertension rezistent.
Si ndikon pulsi i vazhdueshëm i lartë në trup?
Teknologjitë digjitale mundësojnë kontroll të lehtë të pulsit në qetësi. Orët inteligjente, byzylykët e fitnesit, madje edhe matja e thjeshtë me prekje, mund të na japin një ide për çrregullime të mundshme ose të konfirmojnë shëndet të mirë.
- Një puls më i lartë në qetësi mund të tregojë se zemra po punon më shumë seç duhet, si një makinë që rri ndezur me xhiro të larta pa lëvizur. Me kalimin e kohës, ky përpjekje shtesë mund të mbingarkojë arteriet dhe të rrisë rrezikun për probleme të zemrës, shpjegon dr. Conde Pozzi.
Studimet tregojnë se personat me puls më të lartë në qetësi kanë rrezik më të shtuar për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, goditje në tru dhe madje vdekje të parakohshme, pavarësisht faktorëve të tjerë të rrezikut si kolesteroli apo presioni i gjakut.
- Pulsi në qetësi nuk është një vlerë statike, por pasqyrim i stilit të jetesës; ai varet nga forma fizike dhe zakonet tona, thotë kardiologia dr. Rachel Eidelman, nga Baptist Health Heart & Vascular Care.
Kur merret vlera më e saktë e pulsit në qetësi?
Vlera më e saktë e pulsit në qetësi merret menjëherë pas zgjimit, para konsumimit të kafesë ose aktivitetit fizik. Me gishtin tregues dhe të mesëm gjeni pulsin në kyçin e dorës ose në qafë, numëroni rrahjet për 60 sekonda dhe shënoni vlerën.
Mjekët theksojnë se çdo trup është i ndryshëm: disa persona kanë puls normal rreth 75, të tjerë 60. Më e rëndësishmja është të ndiqen ndryshimet dhe të vërehet nëse ka devijime të mëdha. Nëse vlerat e pulsit rriten gradualisht gjatë javëve ose muajve, kjo mund të tregojë sëmundje, stres të fortë ose mungesë aktiviteti fizik.
Çfarë ndodh kur janë të larta si pulsi ashtu edhe presioni i gjakut?
Ekzistojnë shumë aparate shtëpiake për matjen e presionit të gjakut që matin njëkohësisht edhe pulsin. Për shembull, nëse presioni i gjakut rritet bashkë me pulsin, është e mundur që trupi të reagojë ndaj stresit, kafeinës ose mungesës së gjumit.
Në të kundërt, një puls më i ulët në qetësi, i shoqëruar me presion të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të gjakut, shpesh tregon një sistem kardiovaskular të fortë dhe efikas. Ndjekja e të dy parametrave i ndihmon pacientët dhe mjekët të dallojnë tendencat dhe të kuptojnë se si zakonet e përditshme, si ushtrimet fizike, ushqyerja dhe relaksimi, ndikojnë në shëndetin e zemrës.
Çfarë nëse pulsi është vazhdimisht mbi 90 në qetësi?
Rritja e përkohshme e pulsit mund të jetë pasojë e dehidratimit, stresit, temperaturave të larta ose konsumimit të kafeinës. Megjithatë, një puls kronikisht i lartë në qetësi mund të tregojë probleme më të thella, si funksion i shtuar i gjëndrës tiroide, anemi ose reagim ndaj disa medikamenteve.
- Nëse pulsi në qetësi është vazhdimisht mbi 90, pa ndonjë arsye të qartë, ndërkohë që personi është i pushuar, pi mjaftueshëm ujë dhe nuk është nën stres, do të ishte mirë të bëhej një kontroll dhe diagnostikim. Mund të bëhet fjalë për ndonjë problem vaskular, shpjegon dr. Del Conde, duke shtuar se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekziston një problem serioz shëndetësor.
Puls shumë i ulët - nën 50 rrahje
Nga ana tjetër, edhe pse pulsi i ulët në qetësi mund të tregojë formë të mirë fizike, vlerat shumë të ulëta (nën 50 rrahje në minutë te personat që nuk janë sportistë) mund të jenë shqetësuese, sidomos nëse shoqërohen me marramendje, lodhje ose humbje ndjenjash. Në disa raste, medikamente si beta-bllokuesit ose çrregullime të ritmit të zemrës mund ta ngadalësojnë punën e saj.
Çelësi është konteksti: një puls 48 te sportistët mund të jetë normal; një rënie e papritur në 48 te një person fizikisht joaktiv mund të kërkojë vlerësim mjekësor.
Ndryshime të thjeshta që ndihmojnë në optimizimin e pulsit
Ushtroni rregullisht
Aktiviteti aerobik i moderuar, si ecja, çiklizmi ose noti, forcon muskulin e zemrës dhe e bën atë të pompojë gjakun më efikas, duke ulur pulsit në qetësi.
Flini mjaftueshëm
Cilësia e dobët e gjumit ose mungesa e orëve të gjumit mund të rrisë pulsin dhe presionin e gjakut.
Menaxhoni stresin
Frymëmarrja e thellë, joga, meditimi ose disa minuta qetësie në natyrë mund të ulin aktivizimin e sistemit nervor autonom dhe të ulin pulsin.
Pini mjaftueshëm ujë, shmangni teprimin me kafeinë dhe alkool
Dehidratimi e detyron zemrën të punojë më fort, ndërsa stimulantët mund ta rrisin përkohësisht pulsin.
Mbani peshë trupore dhe presion gjaku të shëndetshëm
Mbipesha mund të rrisë presionin e gjakut dhe të shtojë ngarkesën mbi zemrën.
- Kur pulsi në qetësi ulet me kalimin e kohës, për shembull nga 80 në 65, kjo është shenjë se personi është bërë më aktiv dhe po humb peshë të tepërt. Të gjitha këto janë tregues të përmirësimit të sistemit kardiovaskular, shpjegon dr. Eidelman.
Kur duhet patjetër të konsultohemi me mjekun?
Nëse, pa ndonjë arsye të qartë, pulsi në qetësi është vazhdimisht mbi 90 ose nën 50 rrahje në minutë, dhe shoqërohet me lodhje, gulçim ose marramendje, duhet të konsultoheni me mjekun.
Disa teste të thjeshta mund të përjashtojnë sëmundje të caktuara. Vlera e pulsit është vetëm një tregues, por shumë i rëndësishëm. E kombinuar me presionin e gjakut, nivelin e kolesterolit dhe zakonet e jetesës, ajo u mundëson mjekëve të krijojnë një pasqyrë më të plotë të shëndetit tonë kardiovaskular. /Telegrafi/


