Please enter at least 3 characters.

Kthesë dramatike: Man Utd e anulon në momentin e fundit transferimin e yllit brazilian

Në një kthesë të papritur të zhvillimeve, disa burime të besueshme raportojnë se Manchester United është tërhequr nga marrëveshja prej 45 milionë eurosh për mesfushorin e Atalantas, Ederson.

Klubi anglez kishte arritur marrëveshje me Atalantan që në muajin qershor, duke pranuar të paguante 40.5 milionë euro si shumë fikse dhe 4.5 milionë euro të tjera në formë bonusesh.

Megjithatë, transferimi nuk u finalizua në atë kohë, pasi futbollisti ishte i angazhuar me Kombëtaren e Brazilit në Kupën e Botës 2026.

Pas eliminimit të Brazilit, Manchester United kërkoi që Ederson t’i nënshtrohej ekzaminimeve shtesë dhe më të detajuara mjekësore përpara se të jepte dritën jeshile për transferimin.

Kontrollet mjekësore u përfunduan gjatë 48 orëve të fundit, por sipas raportimeve të Sky Sport Italia, Fabrizio Romano dhe burimeve të tjera, Manchester United e ka njoftuar Atalantan se është tërhequr nga marrëveshja.

Nga ana tjetër, Atalanta është e bindur se vendimi nuk lidhet me rezultatet e testeve mjekësore apo me ndonjë dëmtim afatgjatë të lojtarit. Drejtuesit e klubit italian besojnë se Manchester United thjesht ka ndryshuar mendim për transferimin.

Klubi nga Bergamo thekson se, nëse Ederson do të kishte një problem serioz fizik, ai nuk do të ishte pjesë e përfaqësueses së Brazilit në Kupën e Botës.

Ederson ka kontratë me Atalantan deri në qershor të vitit 2028, ndërsa mbetet të shihet nëse do të transferohet te një klub tjetër gjatë kësaj vere apo do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës së drejtuar nga trajneri i ri, Maurizio Sarri./Telegrafi/