Please enter at least 3 characters.

Kongresi amerikan avancon ligjin për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Akti për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës ka avancuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë.

Ligji i propozuar kërkon që Sekretari i Shtetit të SHBA-së të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me fokus të veçantë tek shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Dokumenti do të shqyrtojë çështje të tilla si kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucione publike, mungesa e përfaqësimit proporcional në organet shtetërore, diskriminimi në arsim dhe ekonomi, pasivizimi i adresave shqiptare që pengon qasjen në dokumente identiteti dhe të drejtën e votës, si dhe intimidimet përmes praktikave të zbatimit të ligjit.

Albanians For America (AFA) thekson se ka punuar ngushtë me përfaqësuesin e Kongresit Keith Self për të avancuar këtë legjislacion, ndërsa mbështetja e Kryetarit të Komitetit për Çështjet e Jashtme, Brian Mast, dhe e anëtarit të renditur Gregory Meeks, është vlerësuar si kyçe për suksesin e këtij hapi.

Procesi ligjor vazhdon: pasi të kalojë miratimin në komitet, projekti i ligjit do të votohet nga Dhomë e Përfaqësuesve dhe më pas nga Senati.

Nëse miratohet, ligji i kërkon Departamentit të Shtetit të raportojë për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës brenda 180 ditëve, duke e vendosur këtë çështje në fokusin më të lartë të politikës së jashtme amerikane.

Ky ligj konsiderohet një hap i rëndësishëm për të ngritur ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe për të kërkuar llogaridhënie për trajtimin e tyre në Serbi./Telegrafi.