Kërkuan largimin e tij, Abdixhiku: Pres dorëheqjen e Muhaxherit dhe Ahmetit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas kërkesave publike për dorëheqjen e tij nga kryesitë e degëve të LDK-së në Pejë dhe Lipjan.
Përmes një postimi, Abdixhiku i falënderoi dy kryetarët për kërkesat e tyre, duke theksuar se do të kishte qenë më korrekte që ato t’i shprehnin në takim të drejtpërdrejtë.
“I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë. Fundja kemi bashkëpunuar gjatë.”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka pranuar se rezultati i partisë në këto dy degë nuk ka qenë i kënaqshëm, duke e lidhur këtë me atë që ai e quan sabotim të brendshëm.
“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.”, tha ai.
Duke iu referuar diskutimeve të mëhershme në Kuvendin e partisë, Abdixhiku tha se çështja e dorëheqjes së tij është trajtuar tashmë, ndërsa kërkoi dorëheqje morale nga drejtuesit e dy degëve.
“Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë.”, u shpreh ai.
Abdixhiku shtoi se nuk do të lejojë, sipas tij, që projektet për ndarjen e LDK-së të marrin formë, duke bërë thirrje për qetësi dhe unitet brenda partisë.
Në fund, ai shprehu keqardhje për zhvillimet e brendshme në parti.
“Ndjej vetem keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?”, përfundoi Abdixhiku. /Telegrafi/


