Please enter at least 3 characters.

Kërkohet nga Supremja t’i vërtetohet dënimi me burgim të përjetshëm Edmond Lajqit, ky i fundit thotë që s’ishte vetvetja kur kreu vrasjen

Në Gjykatën Supreme të enjten u shqyrtua kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruar nga mbrojtja e Edmond Lajqit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Gj.U.

Gjykata Themelore në Pejë, më 27 dhjetor 2024, Lajqin e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Më pas, Gjykata e Apelit mori vendim, me të cilin ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën Supreme, mbrojtja e familjes Ukella, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, kërkoi të vërtetohet dënimi me burgim të përjetshëm për Lajqin. Njëjtë kërkoi edhe vëllai i të ndjerës Gj.U., Shpat Ukella, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në anën tjetër, mbrojtja e Lajqit, avokati Feim Alaj kërkoi që rasti të kthehet në rigjykim ose të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe ai i shkallës së dytë.

Vetë i akuzuari Edmond Lajqi i kërkoi falje familjes për rastin dhe tha se ka qenë nën ndikimin e barnave. Tha se nuk ka qenë vetvetja kur ka ndodhur rasti.

Kolegji i gjyqtarëve të Supremes në këtë rast përbëhet nga Bashkim Hyseni- kryetar, si dhe Mejrem Memaj dhe Agim Maliqi- anëtarë.

Në seancën fillestare të mbajtur më 24 dhjetor 2024 i akuzuari Lajqi kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas së tij në prill të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Edmond Lajqit, i cili akuzohet se më 16 prill 2024 ka vrarë bashkëshorten e tij në Pejë. /BetimipërDrejtësi/