Këngëtarja Donna Dafi sërish imazh i parfumit më të ri të brendit Escada
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Donna Dafi, vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare, duke u përzgjedhur për të dytin vit radhazi si imazhi zyrtar i një prej brendeve më prestigjioze botërore të parfumeve – ESCADA.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm të parfumit “Bali Paradise”, i cili u shpërnda dhe u mirëprit në mbarë botën, ESCADA vijon bashkëpunimin me artisten shqiptare, duke e zgjedhur atë si fytyrën e parfumit më të ri të brendit, “Turn Me Sunny” – një aromë që mishëron diellin, luksin dhe freskinë verore.
Lajmi është konfirmuar nga Instagrami zyrtar i Escada, ku thuhet: “Kemi mbërritur në destinacionin tonë. Mirë se vini në botën e parfumit të ri Escada Turn Me Sunny. Po kërkon diellin? Njihu me Eau de Parfum-in e ri me Donna Dafi – qiell blu i mbyllur në një shishe, një ëmbëlsirë e vogël për lëkurën tënde”.
Ky bashkëpunim i radhës është dëshmi e impaktit të fuqishëm ndërkombëtar të Donna Dafi, e cila po e pozicionon me krenari majat e industrisë së modës, muzikës dhe bukurisë.
Për kujtesë, në vitin 2019, fytyra e brendit Escada ishte një tjetër yll me famë botërore, Rita Ora. Por surprizat nuk mbarojnë këtu! Këtë të premte, Donna Dafi pritet të publikojë këngën dhe videoklipin e ri, “Primadonna”, një projekt që tashmë është prezantuar në disa shtete të Evropës dhe ka ngjallur interes të madh.
Fansat tashmë po numërojnë orët deri në publikim, duke e kthyer “Primadonna” në një nga projektet më të shumëpritura të momentit. Shihemi të premten — Donna Dafi vjen më e fortë se kurrë! /Telegrafi/


