Karabinierët italianë patrullojnë në Gjakovë, KFOR-i jep detaje
Karabinierët italianë të caktuar në Njësinë e Specializuar Shumëkombëshe (MSU), pjesë e misionit të KFOR-it po zhvillojnë rregullisht patrullime në Gjakovë.
Sipas KFOR-it, këto patrullime kanë për qëllim të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, ndërsa njëkohësisht rrisin praninë e dukshme dhe fleksibile të misionit në terren.
KFOR-i ka bërë të ditur se patrullimet ndihmojnë edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për situatën e sigurisë në pjesë të ndryshme të Kosovës.
“Veprime të tilla pasqyrojnë përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
KFOR-i thekson se vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.


