Ka hundëlesh mbi hundëlesh
Dita e kurorëzimit të Padishahut të ri pritej me padurim, por përreth tij flitej se ai ketë titull e ka vetëm metaforë. Për vrasjen e pararendësit të tij nuk u arrestua askush.
Sikur ishin bërë bashkë gjithë kastat e privilegjuara të perandorisë, numrin e të cilave nuk e dinte askush.
Bëhet edhe pa sulltan, pëshpëritej, jo vetëm nëpër qytet, por edhe brenda pallatit.
-Ja, qe tetë vjet nuk kemi sulltan dhe nuk u bë nami.
Perandoria “po vuante’ nga të privilegjuarit dhe nga salltanetet e tyre. Aq shumë kishte njerëz të privilegjuar në kryeqytet sa ishte vështirë të gjeje një punëtor. Sulltani i ri, jo që mësoi shumë nga mentori i tij, por ai kaloi qindra net pa gjumë duke lexuar kronikën e shkruar nga vetë dora e sulltanit të vrarë, që e kishin arkivuar sejmenët si një letër pa kuptim.
Populli po vargëtonte nofka nga më të ndryshmet për perandorin e ri. Pak kush ose askush nuk e paramendonte se Sulltani i ri mund të jetë një hundëlesh që nuk e ka parë perandoria tash për pesë shekuj me radhë.
-Po pse u vra një sulltan i urtë, i mirë, i sjellshëm, i butë, bamirës?-pyesnin njerëzit.
Kush pati më shumë privilegje se jeniçerët, pyesnin njerëzit ndër ethe të vdekjes.
Nuk e vrisnin dot sulltanin bejlerët, agallarët, pashallarët e hoxhallarët. Sulltani, tashmë i ndjerë, bile edhe kur ishte kurorëzuar, ishte përpjekur të mos i trazonte pashallarët, në ditën e festimeve. Kishin kaluar katër vjet nga dita e kurorëzimit të tij, por ai nuk kishte pasur rast të merret kurrë me kufijtë perandorak.
Mendon dikush së Perandorinë e sulmuan armiqtë, se sulltanin e vranë armiqtë? Jo!
Perandoria vritej përditë nga brenda. Vritej nga garat e zotërinjve për privilegje. Vritej nga kastat e panumërta, që nuk njihnin as pushtet, as hyqymet, as kufizim, as limit kohor privilegjesh.
Sulltani nuk kishte haber sa janë rezervat e arit të dovletit! Nuk kishte haber as kush i kontrollon ato! Nuk kishte haber as kush i ruante ato?
Lajmet e rrejshme kishin vërshuar selinë qendrore të Lartmadhërisë. Asnjë shërbim nuk po kryente detyrat për të cilat paguheshin.
Jeniçerët e vranë sulltanin kur e panë mirë se ai nuk kishte asgjë në dorë.
Kurorëzimi i sulltanit të ri vonoi tetë vjet. Trashëgimtari i vetëm i mundshëm i dinastisë, ishte një djalë i vetëm në moshën dhjetëvjeçare Atë duhej përgatitur nga një njeri dijetar më besnik i dovletit dhe i panjollosur kurrë. Ashtu i kishte rënë shorti një veziri plak, të pensionuar moti.
Aq mirë kishin kaluar ato vite të mësimit të princit që priste kurorën, sa që vetë veziri plak nuk kuptonte dot, prej nga sulltani i ardhshëm merrte aq shumë informata për gjendjen e brendshme të dovletit, sa nuk i besonte as vetës.
Shumë vonë qe kuptuar se pas orëve të mësimit, Padishahu i ardhshëm po lexonte çdo shkronjë që ishte shënuar në kronikën e tij sulltani i vrarë. Ai po kuptonte gjera për të cilat nuk do mësonte kurrë nga mentori plak.
Sulltani i ardhshëm kishte parë se pararendësi i tij qe vrarë pikërisht nga jeniçerët, privilegjet e të cilëve nuk njihnin kurrfarë kufizimi material, as kohor as ligjor.
Një ditë, trashëgimtari i ri i fronit kishte pyetur mentorin e tij; sa kanë afat privilegjet e cilësdo kastë pasanikesh apo ushtarësh? Veziri plak kishte mbetur i nemitur. Ai nuk kishte ditur kurrë cilat janë privilegjet e jeniçerëve, dhe jo vetëm të tyre. Ai nuk kishte mësuar kurrë a kanë limit ligjor e kohor privilegjet e tyre.
Në kronikën e pararendësit të tij, princi i kurorës kishte lexuar gjithçka që kishte ndodhur para vrasjes.
Ai kishte mësuar nga kronika, se sulltani i vrarë nuk po i besonte asnjë shërbimi. Për fat të keq, vrasja e kishte penguar të bënte edhe ndryshimin më të vogël në zinxhirin e pushtetit.
Princi i ri dukej sikur i thoshte vetës; punën e kam tepër pisk.
Mund të më vrasin edhe mua pa bërë edhe ndryshimin më të vogël të domosdoshëm për shpëtimin e Perandorisë.
Princi mendoi dhe bëri të gjitha përgatitjet për të mos u zënë në befasi sikur pararendësi i tij. I duhej të përgatiste një armatë të tërë njerëzish besnik, me uniforma ushtarake krejt të reja, që nuk kanë asnjë ngjashmëri me ato te deritashmet.
Dita e kurorëzimit po afrohej. Atmosfera e festimeve kishte përfshirë kryeqytetin. Dukej sikur të gjithë prisnin me kërshëri të veçantë dekretin e parë, pas kurorëzimit të lartmadhërisë.
As që kishte paramenduar dikush, se Perandori i ri akoma pa kurorëzuar, ka nënshkruar më tepër se një dekret. Dekretet po i zbatonte natën ushtria e re, e cila tashmë ishte gati të merrte çelësat e dovletit edhe nga myftiu i kryeqytetit.
Princi kishte vlerësuar se myftiu ka ditur gjithçka për rebelimin e jeniçerëve dhe për vrasjen e pararendësit të tij. Myftiu moti ka ditur çfarë fati po e pret sulltanin. Ai moti e ka ditur që pikërisht janë jeniçerët ata që po vrasin, po pjekin e po djegin qytetin ditë e natë.
Dekreti i parë sekret ishte dënimi me varje i myftiut. Askush nuk kishte dëgjuar një fjalë për këtë, dhe kur pritej që myftiu ti printe eskortës në ditën e kurorëzimit, ai u pa i varur në sheshin kryesor.
Askush nuk pyeti asgjë.
Nuk e kishte hallin princi të numri i njerëzve që duan të marrin pjesë në manifestim, por krejt diku tjetër. Derisa armata e deritashme po kalonte ditë të gëzueshme duke pritur parakalimin, për veprimin e armatës se re, e cila në natën e madhe mori në dorë pikat kryesore të mbrojtjes së shtetit, nuk dinte askush nga hyqymeti i deritashëm. Zbulimi i planit, do të thoshte fundi i sulltanit-axhami, siç kishin filluar ta quanin dashakëqijtë, që nga dita kur mori bekimin për trashëgimtar froni.
Sulltani i ri mori detyrën në çastin më të lig, nëpër të cilin po kalonte perandoria. Kishte mësuar ai tetë vjet rresht për të kuptuar rrënjët e rrëmujës në të cilën kishte rënë dovleti.
Ai mendonte, se si është e mundur që një Tokmak, një Xherah apo një Berber të luanin koçe me një perandori?
-Kjo nuk duhet lejuar me asnjë çmim! – mendonte ai.
-Ata leckamanë e cukëlanë rrugësh me siguri kanë bashkëpunëtorë deri në nivelet më të larta të pushtetit perandorak.
-Ah jeniçerët? -mendonte vazhdimisht.
Dukej sikur ata kishin privilegje edhe mbi jetën e kujtdo qoftë në perandori..
Një rebelim i armatosur i jeniçerëve kishte lënë perandorinë pa sulltan. I vetmi trashëgimtar i dinastisë pesëshekullore kishte mbetur një djalë dhjetëvjeçar. Për kurorëzimin e tij duhej pritur edhe tetë vjet. Perandoria kishte rënë në hall të madh. Duhej edukuar sulltanin për shumë kohë. Aq shumë ishte kalbur perandoria nga brenda, sa që askush nuk kishte shpresë për të dal shpejt nga kriza, pa pasoja të mëdha.
Gjakderdhjes së brendshme i frikësoheshin të gjithë pa përjashtim.
Aq shumë njerëz kishin privilegje të llojllojshme pa limit kohor, sa që çdo ide për të shkurtuar ato privilegje, perëndonte pa dal nga goja. Vitet iknin tepër ngadalë, por disa vezirë të larguar moti nga puna, silleshin pa ndërprerë, natë e ditë rreth sulltanit të ri, të cilin e quanin axhami.
E mira e së mirës, djali që do merrte fronin, po mësonte mirë.
Veziri plak, i pensionuar moti, ishte i vetmi të cilit ia kishin dorëzuar djalin për edukatë.
Sulltani po mbushte moshën për kurorë, por akoma nuk e kishte kuptuar kënd ka nënë të vërtetë në haremin me njëqind gra moshash të ndryshme. Madje dikush e kontestonte hapur edhe origjinën e sulltanit të ri.
Mbi të gjitha, “Axhamiu’, të cilin e prisnin të rritet me padurim, dallohej me disa tipare që nuk ishin parë më herët tek sulltanët tjerë. Ai kishte filluar ta pyeste mësuesin për çdo mësim dhe çka i duhet ai mësim.
Në arkivin e trashëgimisë, kishte kronika të pafund në të cilat ishin regjistruar ngjarjet e mëdha dhe si zakonisht, aty në çdo rast kishte shënime për veprimtarinë e jeniçerëve, të cilët dërgoheshin të parët në front, kudo që kishte rast ballafaqimi, për mbrojtjen e kufijve ekzistues, apo për pushtime të reja. Puna e jeniçerëve dhe privilegjet e tyre pa limit ia kishin turbulluar mendjen princit ende të pakurorëzuar. |
-Cilat janë privilegjet e tyre?- mendonte princi.
-Sa zgjasin ato privilegje dhe a kanë diku limit?
Për shekuj të terë jeniçerët ishin të parët në front. Me rastin e pushtimit të tokave të reja ata gëzonin privilegje krejt të pakufizuara, ditë, javë, muaj e vite me radhë. Kur nuk ishin në luftë, ata kishin vendstrehime të sigurta në kryeqytet dhe furnizim ushqimor e material, baras apo edhe më tepër se shtresa e lartë të bejlerëve apo agallarëve.
Princi i pakurorëzuar ua njihte të gjitha ato të drejta, por kurrsesi nuk po pajtohej që ato të vazhdonin pa limit kohor. Kishte me mijëra jeniçerë, që nuk e kishin parë kurrë frontin e luftës, por kishin trashëguar çdo privilegj nga pararendësit, apo shumë prej tyre edhe kishin korruptuar qatipët që mbanin evidencat shekuj me radhë, njeri pas tjetrit.
Princi që po përgatitej të kurorëzohej, një ditë kishte pyetur mësuesin:
-A dini ju numrin e jeniçerëve veteranë?
Ishte stepur mentori i princit nga kjo pyetje. Jo që nuk e dinte këtë mentori plak i sulltanit të ri, por ndoshta as që kishte pritur kurrë që dikush t’ia shtronte këtë pyetje. Pikërisht ky fakt e kishte sjellë perandorinë buzë humnere.
-Mendoj, i tha princi mësuesit, se privilegjet duhet të kenë limit kohor.
Çdo mësim që merrte princi mbahej sekret, ashtu si edhe çdo pyetje e çdo përgjigje e tij.
Erdhi dita e kurorëzimit.
Gjithçka kaloi pa bujë. Gjithçka kaloi në shenjë kujtimi të vrasjes së sulltanit pararendës pikërisht nga jeniçerët rebel.
Atë ditë që u ul në fron, sulltani i sapo kurorëzuar nisi hartimin e planit, jo për shkurtim privilegjesh, apo përmirësim kushtesh të të rebeluarve, por për shuarjen definitive të kësaj shtrese ushtarake me përvojë e privilegje tepër të rrezikshme për dovletin.
-Mentori i tij nuk mund i dha kurrfarë zgjidhjeje. Shihej se ky problem që ka paralizuar gjithë sistemin shtetëror perandorak është tepër i vjetër, dhe asnjëherë, askush nuk është përpjekur ta zgjidhë, duke i qindfishuar problemet e shtetit me privilegjet që gëzonin jeniçerët brez pas brezi, pa asnjë limit.
-Kur duhet ndalur gjakderdhjen e perandorisë para se ajo të përfundojë në humnerë?-pyeste vetën Padishahu i ri, të cilin shumëkush po e quante axhami.
Gjithë mileti po priste pa gjumë vendimin e parë të madh që do ta dëgjonin nga goja e tij.
Sulltanin e ri, shumica e bejlerëve e agallarëve, e njerëzve më të pasur as nuk e morën seriozisht. Talleshin me moshën e tij, duke e quajtur Sulltan Axhamiu. Derisa nofka Axhamiu ishte përhapur pak nëpër qytet, kishte plot njerëz që thoshin, së sulltani i ri do jetë ma hundëlesh se çdo sulltan tjetër që keni parë e dëgjuar deri tash.
Ka edhe hundëlesh mbi hundëlesh, pëshpëritnin njerëzit!
Dekretin e parë Sulltan Hundëleshi e kishte nënshkruar në fshehtësi të plotë, para kurorëzimit. Ai urdhëronte armatën e re që të zbatonte të gjitha detyrat që i kishin marrë me shkrim, një natë para festës. Dekreti mbante shifrën tepër sekret dhe vlente vetëm për armatën e re. Të merren nën kontroll rezervat shtetërore të arit! Të zëvendësohen, të suspendohen, të largohen, të arrestohen, apo edhe të ekzekutohen të gjithë ata që nuk përfillin ushtarët e oficerët e rinj që ishin caktuar me dekret sekret.
Reformimi i plotë i ushtrisë qe dekreti i parë perandorak.
Sa duket as jeniçerët nuk e kishin marrë seriozisht punën e sulltanit të ri. Plani ishte tepër sekret dhe ashtu duhej të mbetej deri në finalizim. Në krye të detyrës për reformë, sulltani kishte caktuar vetën e tija.
Sa do zgjasë reforma e ushtrisë, pyesnin njerëzit?
Shumëkush pyeste; si do ti heq qafe sulltani jeniçerët e rebeluar që janë aq shumë? Në mungesë të evidencës dhe kontrollit, sa herë behej fjalë për jeniçerë, të mbushej mendja se numri i tyre është më i madh se gjithë pjesa tjetër e qytetit
Askush nuk e paramendonte që sulltani do godas me artileri, pikërisht kazermat e jeniçerëve, në pik të natës.
Zbulimi i sekretit do mund të ishte fatal, jo vetëm për dështimin e gjithë planit, por edhe për jetën e sulltanit. Plani nuk guxon të dështojë në asnjë hallkë të tij. Njësitet e reja ushtarake, me trajnime krejt të reja dhe me edukatë krejt të re, nuk ishin njoftuar në asnjë rast se cila do jetë beteja e parë e tyre, në të cilën do tu printe vetë Sulltani.
Mijëra tregtarëve e zejtarëve që i kishte dërguar në ekspeditë gjashtëmujore në terren, sulltani pararendës, ju kishte dhënë vetëm një këshillë: “Mos “rrëshqitni” diku me qellim”.
Sulltani që provoi mënyrë të re të organizimit ushtarak, para se të vritej kishte lënë të shkruar në detaje se çka ka mësuar nga një ekspeditë e lirë në terren, me qellim për të kuptuar më mirë së çka po ngjanë në kryeqytet. Sulltani kishte mësuar, se më mirë e dinin shtetet fqinje gjendjen e brendshme në perandori se vetë sulltani.
Në dokumentet përkatëse shkruante,: “Megjithëse kishte kaluar gati një vit Tokmaku me shokë po vazhdonte zanatin e vjetër”. Ai asnjëherë nuk kishte bërë gjumë të qetë duke menduar se Padishahu mund ti thërras serish e ti provojë me diçka të pa imagjinuar. Kjo, për Tokmakun, kishte mbetur akoma enigmë. Edhe Sulltani edhe zanatlinjtë me nofka të çuditshme nuk i besonin fare njeri tjetrit. Kontrabanda e tyre nuk po ndalej. Sulltani i ri donte denoncimin, jo vetëm të zejtarëve kontrabandistë, por edhe të zbulonte burimin e vërtetë. Nuk e kishin filluar këtë veprimtari të parët zejtarët, por ata me uniforma e grada të larta ushtarake - kishte menduar Sulltani i ndjerë pararendës.
Sulltani i ri kishte vendosur të godiste kontrabandën nga koka.
-Nëse këta cukëlanë rrugësh arrijnë të mashtrojnë vetë Padishahun, çka mund të bëjnë ata me uniforma nëse ju jepet rasti-po mendonte me frikë vetë sulltani i ri, axhami, Sulltan Hundëleshi.

