Juventusi zhvillon bisedime pozitive me Jadon Sanchon
Juventusi po tregon ambicie të qarta në merkaton e verës, me burimet nga Sky Sport Italia që raportojnë për bisedime pozitive të zhvilluara së fundmi me anësorin anglez Jadon Sancho.
Sipas ekspertit të njohur të transferimeve, Gianluca Di Marzio, kontaktet e fundit midis lojtarit dhe klubit italian kanë qenë premtuese.
Sancho, i cili është rikthyer te Manchester United pas huazimit te Chelsea gjatë sezonit 2024/25, mbetet një objektiv konkret për "Bianconerët".
25-vjeçari pati një sezon solid në “Stamford Bridge”, ku shënoi pesë gola dhe kontribuoi me dhjetë asistime në 41 paraqitje, duke dëshmuar se ende ka shumë për të dhënë në nivelet më të larta.
Juventusi kishte nisur kontaktet me Manchester United që në muajin qershor për të eksploruar një marrëveshje të mundshme për Sanchon.
Tashmë, me përparimin e bisedimeve personale me lojtarin, duket se një transferim në Serie A po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje të plotë mes klubeve.
Paralelisht me përpjekjet për të siguruar Sanchon, Juventusi ka përfunduar një marrëveshje me sulmuesin kanadez Jonathan David, i cili do t’i bashkohet si lojtar i lirë pas skadimit të kontratës me Lille. /Telegrafi/


