Please enter at least 3 characters.

Jo vetëm Ferran Torres, PSG-ja po kërkon edhe një tjetër yll të Barcelonës

PSG-ja ka shfaqur interesim për Jules Kounden, mbrojtësin 27-vjeçar të Barcelonës, me synimin për ta afruar në skuadër gjatë këtij afati kalimtar të verës. Mbrojtësi francez është një nga kërkesat e reja të trajnerit Luis Enrique.

Duke shfrytëzuar bisedimet e hapura për Ferran Torresin, klubi francez synon të negociojë edhe për reprezentuesin francez dhe ta largojë atë nga Barcelona.

Në klubin katalanas, Joan Laporta dhe Deco janë të gatshëm ta shqyrtojnë shitjen e tij nëse arrin një ofertë zyrtare, edhe pse jo në nivelin e 70 milionë eurove që klubet e tjera kishin ofruar vitin e kaluar.

Sipas raportimit të RMC Sport, Nasser Al-Khelaifi po udhëheq interesimin e PSG-së për Kounden, me synimin që ta vendosë atë nën urdhrat e Luis Enriques.

Stafi teknik i kampionëve francezë dëshiron ta përdorë 27-vjeçarin në pozitën e qendërmbrojtësit, roli i tij natyral para se të transferohej te Barcelona.

Negociatat po zhvillohen paralelisht me bisedimet për Ferran Torresin, pasi PSG-ja synon të përsërisë transferime të lojtarëve nga ‘Camp Nou’, siç ndodhi më parë me Ousmane Dembelen dhe Leo Messin.

Klubi francez beson se mund ta bindë Kounden përmes një projekti ku ai do të ketë një rol të rëndësishëm dhe minuta të garantuara në qendër të mbrojtjes.

Joan Laporta dhe Deco e pranojnë se është e vështirë të arrihet shifra prej 70 milionë eurosh që Barcelona e kishte refuzuar në afatet e kaluara, por drejtuesit katalanas besojnë se një ofertë e arsyeshme financiare do të ndihmonte në lehtësimin e pagave të klubit.

Barcelona nuk e përjashton mundësinë e largimit të mbrojtësit francez së bashku me Torresin para përfundimit të afatit kalimtar./Telegrafi/