Ja sa do të kishte fituar Infantino nëse do të kishte arritur ta “shiste” Kupën e Botës
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mund të kishte siguruar një pagë vjetore prej mbi 30 milionë eurosh, plus bonuse shtesë, nëse do të ishte miratuar plani i tij për ristrukturimin e të drejtave komerciale të Kupës së Botës.
Sipas llogaritjeve të gazetës britanike The Times, të ardhurat e Infantinos do të ishin lidhur drejtpërdrejt me projektin për shitjen e një pjese të të drejtave të turneut më të madh të futbollit.
Detajet e planit të refuzuar
Projekti, i quajtur FIFA Forward Enterprise, parashikonte shitjen e 20 për qind të të drejtave komerciale të Kupës së Botës. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, FIFA synonte të siguronte rreth 3.65 miliardë euro të ardhura nga investitorët privatë.
Ideja shkaktoi reagime të ashpra nga UEFA, CONCACAF dhe shumë federata kombëtare, të cilat e kundërshtuan fuqishëm projektin. Përfundimisht, plani u refuzua.
Infantino ka deklaruar vazhdimisht se nuk kishte ndërmend të përfitonte personalisht nga ky projekt.
Megjithatë, dokumentet e publikuara nga The Times hedhin dyshime mbi këtë pretendim, pasi sipas tyre ai do të kishte përfituar një pagë vjetore mbi 30 milionë euro, rreth dhjetë herë më shumë se paga e tij aktuale si president i FIFA-s, e cila vlerësohet në afërsisht tre milionë euro.
Çfarë është FIFA Forward Enterprise?
Sipas dokumenteve të siguruara nga The Times, Infantino u kishte ofruar secilës prej 211 federatave anëtare të FIFA-s mundësinë për të përfituar deri në 35 milionë euro, nëse ato do të mbështesnin projektin e tij për krijimin e FIFA Forward Enterprise.
Ky entitet i ri tregtar do të menaxhonte garat më të rëndësishme të FIFA-s dhe do t'u hapte rrugën investitorëve privatë për të blerë pjesë të pronësisë në këto kompeticione.
Federatat do të kishin rreth 50 ditë kohë për të vendosur nëse do ta pranonin propozimin. Sipas Infantinos, miratimi i planit do të aktivizonte një paketë financiare prej 8.7 miliardë eurosh duke filluar nga 1 janari 2027.
Në të kundërt, nëse propozimi do të refuzohej, do të vazhdonte programi ekzistues FIFA Forward, me një vlerë prej 2.7 miliardë dollarësh (ose rreth 2.4 miliardë euro), siç ishte planifikuar më herët.
"Vendimi nëse do të vazhdoni me këtë propozim varet tërësisht nga ju. Nëse vendosni ta miratoni, paketa prej 8.7 miliardë eurosh do të jetë e disponueshme nga 1 janari 2027, duke shënuar fazën tjetër të udhëtimit tonë të përbashkët", " shkroi Infantino në letrën drejtuar federatave.
"Nëse dëshironi të ruani status quo-në dhe ta refuzoni këtë propozim, do të vazhdojë zgjatja e planifikuar e programit FIFA Forward me vlerë 2.4 miliardë euro. Sipas këtij modeli, çdo shoqatë kombëtare do të ketë mundësi të përfitojë deri në 35 milionë euro gjatë ciklit që nis në vitin 2027". /Telegrafi/


