“Ishte e pamundur të humbnim” - Enrique kujton ditën e kthimit të Figos në 'Camp Nou'
Luis Enrique ka rikthyer në kujtesë një prej mbrëmjeve më të tensionuara në historinë e “El Clasicos”, atë të 21 tetorit 2000, kur Luis Figo u kthye në Camp Nou për herë të parë me fanellën e Real Madridit.
Në atë kohë, transferimi i portugezit nga Barcelona te rivali i përjetshëm kishte shkaktuar zemërim të madh te tifozët katalunas. Atmosfera në Camp Nou atë natë ishte e jashtëzakonshme, ndërsa Luis Enrique, atëherë futbollist i Barcelonës, e kujton si një prej ndeshjeve me emocionet më të forta në karrierën e tij.
“Ndeshja me atmosferën më të pabesueshme që kam përjetuar si lojtar në Camp Nou, ishte dita kur Figo u kthye. Kam luajtur atje për tetë vjet, por ajo ditë ishte e veçantë”, ka rrëfyer Enrique në dokumentarin “Camp Nou: Mirë se vini në stadium”.
Figo kishte qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Barcelonës, përpara se të transferohej te Real Madridi në verën e vitit 2000.
“Figo ishte si një vëlla për ne. Ishte lojtari ynë më i mirë dhe u largua për në Madrid”, kujtoi Enrique, i cili sot drejton Paris Saint-Germainin.
Ish-futbollisti spanjoll tregoi edhe për atmosferën e jashtëzakonshme në stadium para fillimit të ndeshjes.
“Zakonisht Camp Nou është gjysmë bosh gjysmë ore para ndeshjes. Por atë ditë, 45 minuta para fillimit ishte plotësisht i mbushur. Po ngroheshim dhe nuk mund ta dëgjonim njëri-tjetrin”, tha ai.
Enrique kujtoi se në atë moment u kishte thënë bashkëlojtarëve se Barcelona nuk mund të humbiste.
“Nuk ka rëndësi kush luan me fanellën e Barcelonës, është e pamundur të humbim. Kishte një energji që ishte pothuajse e frikshme”, rrëfeu ai.
Dhe parashikimi i tij doli i saktë. Barcelona fitoi 2-0, me njërin prej golave të shënuar pikërisht nga Luis Enrique.
Ai kujtoi edhe përballjen e Figos me një Carles Puyol shumë të ri.
“Mbaj mend që Figo u markua nga Puyi, një Puyi shumë i ri, por një bishë. Figo ishte lojtari më i mirë i Real Madridit, pavarësisht presionit që nuk e kisha imagjinuar kurrë. Ne e fituam ndeshjen sepse ishte e pamundur të mos e fitonim”, shtoi Enrique.
Pavarësisht rivalitetit të madh mes Barcelonës dhe Real Madridit, Enrique e konsideron këtë përballje si të domosdoshme për futbollin.
“Çfarë do të ishte Real Madridi pa Barcelonën dhe Barcelona pa Real Madridin? Ata kanë nevojë për njëri-tjetrin”, deklaroi ai.
Ndërkohë, edhe pse ka shkruar faqe të rëndësishme të historisë së Barcelonës si lojtar dhe trajner, Enrique e ka përjashtuar një rikthim të mundshëm në stolin e klubit katalunas.
“Sinqerisht? Jo”, ishte përgjigjja e tij kur u pyet për mundësinë e rikthimit në drejtimin e Barcelonës. /Telegrafi/


