Isak po stërvitet te ish-klubi ndërsa pret Liverpoolin për marrëveshje
Sulmuesi i Ligës Premier, Alexander Isak, është ndoshta numri nëntë më i kërkuar i kësaj vere, me suedezin që raportohet se është i interesuar për një transferim te Liverpooli – ndërkohë që skuadra e Newcastle United ndodhet në turneun parasezonal në Korenë e Jugut.
Pavarësisht interesimit në rritje, Newcastle ka qenë e prerë në qëndrimin e saj: Isak nuk është në shitje. Klubi kishte në plan ta bënte një nga lojtarët më të paguar në botë, por bisedimet për rinovimin e kontratës janë pezulluar më herët këtë vit.
Gjithsesi, Isak ka ende tre vite të mbetura në kontratën e tij, dhe Newcastle mbetet në një pozicion të fortë negociues.
Isak stërvitet në bazën e ish-klubit Real Sociedad
Sipas raportimeve të para nga gazeta spanjolle Diario Vasco, Isak aktualisht po stërvitet në qendrën stërvitore “Zubieta” në Donostia-San Sebastian, vendi ku ndodhet ish-klubi i tij, Real Sociedad. 25-vjeçari është parë me një trajner personal në Krahinen Baske, pavarësisht thashethemeve se ishte larguar pa leje dhe ndodhej në Suedi.
Newcastle i informuar për vendndodhjen e Isak
Sky Sports News raporton se Newcastle është në dijeni të vendndodhjes dhe aktiviteteve të Isak. Ende nuk dihet nëse ai ka marrë leje zyrtare për këtë veprim, ndërsa raportohet se ai po rikuperohet nga një dëmtim i lehtë në kofshë.
Megjithatë, mungesa e tij ka shkaktuar mjaft spekulime, veçanërisht duke qenë se lojtarët e tjerë të dëmtuar kanë udhëtuar me skuadrën e Eddie Howe, ndërsa Isak ka qëndruar prapa – me qëllim të mundshëm për të shtyrë një transferim drejt Liverpoolit.
Në rast se transferimi ndodh, Real Sociedad do të përfitojë 10% të fitimit që Newcastle do të realizojë nga shitja, pasi anglezët kishin paguar 70 milionë euro për ta blerë atë nga klubi bask.
Isak dhe Gyökeres drejt largimit nga tregu?
Këtë verë, një sërë klubesh kanë qenë në kërkim të sulmuesve kryesorë. Viktor Gyokeres u transferua te Arsenali për një shumë të konsiderueshme, ndërsa Victor Osimhen ka rënë dakord të vazhdojë me Galatasaray.
Nëse Isak përfundimisht i bashkohet Liverpoolit, disa nga sulmuesit më të mirë në treg do të jenë jashtë opsioneve për klubet e mëdha. /Telegrafi/


