Please enter at least 3 characters.

Interi gati ofertën 50-milionëshe për yllin italian

Interi raportohet se do ta ketë prioritet transferimin e Marco Palestrës gjatë kësaj vere, teksa drejtuesit e klubit janë të gatshëm të investojnë seriozisht për blerjen e 21-vjeçarit.

Sipas raportimeve nga Italia, Palestra ishte një nga zbulimet e sezonit 2025/26 në Serie A, duke lënë përshtypje gjatë huazimit te Cagliari dhe duke fituar si shpërblim edhe paraqitjet e para me kombëtaren e Italisë.

Fituesit e Scudettos dhe Kupës së Italisë thuhet se duan ta joshin atë larg Atalantës këtë verë, por “La Dea” njihet si klub i fortë në negociata dhe po kërkon një shumë në intervalin 40-50 milionë euro për Palestrën, sipas La Gazzetta dello Sport.

Edhe pse Interi e mbylli sezonin me sukses të dyfishtë, 50 milionë euro mbeten një investim i madh për nerazzurrët, të cilët në të kaluarën kanë kaluar shifrën 50 milionë vetëm një herë – kur e transferuan Romelu Lukakun nga Manchester United në vitin 2019.

Megjithatë, La Gazzetta dello Sport shkruan se menaxhmenti i Interit është i gatshëm të paraqesë atë që e quan një “ofertë maksimale” për Palestrën. Kjo lidhet edhe me mundësinë që Denzel Dumfries të shitet përmes klauzolës së lirimit prej 25 milionë eurosh, ndërsa edhe alternativa në krahun e djathtë, Luis Henrique, mund të lejohet të largohet gjatë verës.

Raportohet se transferimi i Palestrës mund të kushtojë afërsisht sa blerjet e Luis Henrique dhe Andy Diouf së bashku, por burimi italian thekson se ky është profili që e dëshiron trajneri Cristian Chivu dhe se aktualisht italiani i ri është objektivi kryesor i Interit në merkato./Telegrafi/