India refuzon LNG-në ruse të sanksionuar nga SHBA
India ka refuzuar të blejë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për LNG nga terminali Gazprom LNG Portovaya, i cili është nën masa ndëshkuese amerikane.
Pavarësisht nevojës për furnizime të reja energjetike, New Delhi nuk ka pranuar transaksione që përfshijnë entitete të sanksionuara.
Një anije tanker, “Kunpeng”, e cila transportonte LNG rus drejt bregdetit perëndimor të Indisë në muajin prill, raportohet se ka mbetur e bllokuar pranë Singaporit, ndërsa destinacioni i saj përfundimtar mbetet i paqartë.
Burime diplomatike thonë se India i ka bërë të ditur Moskës se është e gatshme të vazhdojë blerjen e gazit rus, por vetëm nëse furnizimet nuk bien nën regjimin e sanksioneve amerikane.
Ndërkohë, India po përballet me nevojë urgjente për energji, në një kohë kur tensionet në Ngushticën e Hormuzit dhe lufta në Lindjen e Mesme kanë rritur pasigurinë në tregjet globale të energjisë. /Telegrafi/


