Ilir Shaqiri me fjalë prekëse për Rexhep Qosjen: U shua institucioni i mendimit shqiptar
Këngëtari i njohur Ilir Shaqiri ka reaguar me një mesazh të ndjerë pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një figurë madhore të mendimit shqiptar dhe një prej emrave më të rëndësishëm të kulturës sonë.
Në reagimin e tij publik, Shaqiri përdori fjalë të forta dhe metafora të spikatura për të përshkruar ndikimin e Qosjes ndër dekada, duke e quajtur atë “institucion” dhe një dritë udhërrëfyese për shqiptarët.
“U shua INSTITUCIONI I MENDIMIT SHQIPTAR, Volteri i Gadishullit Ilirik, Qiriri metonimik i Naim Frashëri, që për 7 dekada ndriti mendjet e bashkëkombësve të tij, çjerri maskat hegjemoniste, dhimbjesjellëse mbi një popull të pambrojtur me histori e kulturë të lashtë dhe shpërpushi zemrat e çlirimtarëve! Ishte dhe mbeti shpërblesëtari më i madh i dijeve që na mungojnë! Lamtumirë, PROFESOR!”, shkroi Shaqiri.
Rexhep Qosja konsiderohej një nga mendimtarët, studiuesit dhe akademikët më të rëndësishëm shqiptarë, me një kontribut të gjerë në fushën e letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit shoqëror.
Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta, reagimet nga figura publike dhe personalitete të ndryshme po vijojnë, duke nderuar trashëgiminë e tij intelektuale. /Telegrafi/


