Please enter at least 3 characters.

“Hold on”, zbulohet një ‘call center’ në Tiranë ku kryhej mashtrim kompjuterik – arrestohen në flagrancë disa persona

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se është finalizuar operacioni i koduar “Hold on”, gjersa është zbuluar ‘call center’ në bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë, ku kryhej mashtrim kompjuterik.

Policia ka bërë të ditur se janë arrestuar në flagrancë katër organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie, ndërsa janë proceduar penalisht 49 punonjës, të cilët që u kapën në flagrancë, në këtë ambient.

Po ashtu janë sekuestruar 107 pajisje nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

“Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve.

Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë, gjatë punës, 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë”, thuhet në njoftim.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga ambienti i përshtatur me dhjetëra poste pune, 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes hetimor.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/