Haradinaj: Kurti po e do krejt pushtetin, ani se nuk i mori votat e mjaftueshme
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se rezultati zgjedhor kërkon vendimmarrje të përbashkët për krijimin e institucioneve, pasi sipas tij, populli nuk i ka dhënë shumicën e mjaftueshme Vetëvendosjes.
Haradinaj, që të mërkurën u regjistrua si deputet, u shpreh se ajo që kanë parë deri tani është se Kurti i është ofruar opozitës për të përfituar në pushtet.
“Ajo që kemi parë deri tani është një pozicion i tillë që nuk ofron bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët, por i është ofruar opozitës për përfitimin e pushtetit, pra me i dhënë përfitime ose pjesëmarrje në pushtet. Kjo nuk e reflekton rezultatin. Pra, dallimi mes numrit të deputetëve, të shqiptarëve po flas, të pozitës dhe opozitës nuk është aq i madh sa që vetëm fituesi i zgjedhjeve të mbajë vendimmarrjet.
Për me e thjeshtuar edhe më shumë, nga dy postet e para, në këtë rast kryeministri që është posti kryesor sepse udhëheq qeverinë, ekzekutivin, dhe presidenti, njëri nga të dy postet në bazë të rezultatit zgjedhor i takon opozitës. Ai që ka fituar zgjedhjet, nëse ka logjikë demokratike, e lexon kështu rezultatin e zgjedhjeve, pra e lexon që është i tillë. Nëse ka logjikë regjimi, e që në fakt kjo logjikë po ndodh me Kurtin, ai nuk dëshiron vendimmarrje të përbashkët ose ndarje të vendimmarrjes”, tha Haradinaj, raporton KosovaPress.
Tutje, ai tha se Kurti po i kërkon të gjitha institucionet e vendit dhe sipas tij, po synon ta poshtërojë opozitën.
“Sikurse e dimë, ne jemi republikë parlamentare edhe pushtetet janë të ndara me parlamentin, ekzekutivin, presidentja, gjyqësorin në fakt, po presidentja është institucion që unifikon vendin. Kurti po i kërkon të gjitha situatat ose pozitat ose institucionet vendimmarrëse për vete dhe në njëfarë mënyre po synon me e poshtruar opozitën duke i ofruar vetëm përfitime të pushtetit, pra vetëm pjesëmarrje në qeverisje. Kjo nuk është ashtu siç ka vendosur qytetari, kjo logjikë. Pra është logjikë e regjimit. E këtë udhëheqësit e regjimeve totalitare të frikësohen nga bashkëvendimmarrja ose nga ndarja e vendimmarrjes.
Unë mendoj që opozita mundet me ndihmuar në krijimin e institucioneve, por kuptohet duhet të ketë bashkëvendimmarrje, jo vetëm marrje pjesë në ekzekutiv që nënkupton pra vetëm përfitime për pushtet”, tha Haradinaj.
Ai tha se opozita nuk e ndihmon Kosovën duke u bërë pjesë e qeverisjes së Kurtit vetëm për pushtet, teksa përjashtoi mundësinë e votimit të presidentit edhe nëse ai apo ajo propozohet nga LDK-ja, nëse bëhet fjalë vetëm për pjesëmarrje në pushtet.
“Nuk mendoj që opozita e ndihmon Kosovën duke u bërë pjesë e qeverisjes Kurti vetëm për përfitime të pushtetit. Opozita kishte mundur me e ndihmuar Kosovën duke u bërë pjesë e vendimmarrjes, pra ky është dallimi. Aleanca nuk synon pra në asnjë variant vetëm përfitimet e pushtetit, por nëse kemi realisht me e ndihmuar Kosovën në krijimin e institucioneve në ndarjen e vendimeve ose në bashkëvendimmarrje, atëherë po. E shihni që tani votat për presidentin janë marrëveshje politike e dy të tretave. Duhet të sqarohet pra a është një situatë e ndarjes së vendimeve, pra nëse bëhet fjalë vetëm për pjesëmarrjen në pushtet kuptohet që nuk kemi pse me u kyçur në diskutime”, tha ai.


