Please enter at least 3 characters.

Hani i Elezit shpall thirrjen publike për mbështetje të fermerëve, grave sipërmarrëse dhe bizneseve

Komuna e Hanit të Elezit, në bashkëpunim me organizatën LAB (Laboratori për Aktivitete të Biznesit) dhe me mbështetjen e TITAN Sharrcem – Komiteti i CSR-it, ka shpallur Thirrjen Publike 2026 për mbështetje investive të fermerëve individualë, grave sipërmarrëse dhe bizneseve lokale.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, i cili ka ftuar qytetarët që plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afatit të paraparë.

"Është shpallur Thirrja Publike 2026 për mbështetje investive për fermerët individualë, gratë sipërmarrëse dhe bizneset lokale në Komunën e Hanit të Elezit. Ftoj të gjithë të interesuarit që plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar", ka shkruar Ballazhi.

Sipas dokumentit të publikuar, thirrja synon të mbështesë investimet që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal dhe përfshin tri linja programore.

Linja e parë parasheh mbështetje për fermerët individualë në sektorin e perimtarisë për modernizimin e pajisjeve bujqësore. Financimi do të realizohet në bashkëfinancim, ku 80 për qind e vlerës së investimit mbulohet nga LAB dhe Komuna e Hanit të Elezit, ndërsa 20 për qind nga përfituesi.

Linja e dytë është e dedikuar për gratë sipërmarrëse në sektorin e dizajnit dhe rrobaqepësisë, duke synuar zhvillimin e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të avancuara, modernizimit të teknikave të punës dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve ekzistuese dhe atyre të reja.

Ndërkaq, linja e tretë mbështet individët inovativë dhe bizneset lokale për krijimin e bizneseve të reja ose zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe shërbyese të bizneseve ekzistuese. Për këtë program parashihet bashkëfinancim deri në 80 për qind të kostos së investimit, me vlerë maksimale prej 4 mijë eurosh për projekt.

Sipas thirrjes, të drejtë aplikimi kanë fermerët individualë me vendbanim në Han të Elezit, gratë sipërmarrëse në sektorin e rrobaqepësisë, individët me ide inovative dhe bizneset e zhvilluara që janë të regjistruara në këtë komunë.

Aplikimet mund të dorëzohen deri më 31 korrik 2026, ndërsa dokumentacioni mund të dorëzohet në zyrat e projektit LAB ose përmes postës elektronike, sipas udhëzimeve të përcaktuara në thirrjen publike. /Telegrafi/