Hakerë të lidhur me Iranin dyshohet se qëndrojnë pas sulmit kibernetik ndaj një centrali energjetik në Britani
Një central i vogël energjetik në Britani të Madhe është detyruar të ndërpresë aktivitetin për katër ditë pas një sulmi kibernetik, ndërsa raportet e mediave britanike sugjerojnë se pas incidentit mund të jenë hakerë të lidhur me regjimin iranian.
Sipas autoriteteve britanike, sulmi nuk përbënte rrezik për furnizimin e përgjithshëm me energji elektrike në vend. Megjithatë, Departamenti për Sigurinë Energjetike dhe Net Zero (DESNZ) ka kontaktuar kompanitë energjetike për t'i paralajmëruar mbi rrezikun në rritje të sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturës energjetike, transmeton Telegrafi.
Gazeta The Telegraph raportoi se sulmi ndodhi muajin e kaluar dhe se autorët dyshohet se kanë lidhje me Iranin. Për arsye sigurie, qeveria britanike dhe Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (NCSC) nuk kanë bërë të ditur emrin apo vendndodhjen e objektit të goditur.
Megjithatë, autoritetet kanë theksuar se bëhet fjalë për një gjenerator të vogël, dhe jo për ndonjë prej centraleve kryesore që janë thelbësore për funksionimin e rrjetit kombëtar.
Sipas raportimeve, centrali ka qëndruar jashtë funksionit për rreth katër ditë si pasojë e incidentit.
Britania ka një numër gjeneratorësh të vegjël me gaz, të cilët përdoren për të siguruar energji shtesë në periudhat kur kërkesa në rrjet rritet. Për këtë arsye, edhe pse incidenti nuk ndikoi në furnizimin kombëtar, ai ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë e infrastrukturës kritike. /Telegrafi/


