Please enter at least 3 characters.

Guti kritikon Realin: Diçka e çuditshme ka ndodhur në dhomat e zhveshjes

Ish-mesfushori i Real Madrid, Guti, ka folur për situatën aktuale te klubi madrilen, duke kritikuar mungesën e stabilitetit dhe unitetit brenda skuadrës.

Sipas tij, Real Madridi aktual ka shumë yje, por nuk funksionon si një ekip i bashkuar.

“E shoh Real Madridin shumë të paqëndrueshëm. Më kujton epokën e Galácticos. Ka lojtarë të shkëlqyer, por mungon fryma e ekipit dhe uniteti brenda skuadrës”, deklaroi ish-mesfushori i Real Madridit.

Guti komentoi edhe largimin e trajnerit Xabi Alonso, duke thënë se vendimi ishte i papritur dhe i nxituar.

“Shkarkimi i Xabi Alonsos ishte një surprizë për mua. Ai nuk ishte një trajner që përbënte rrezik pas pesë muajsh apo një viti. Ishte një projekt për të ardhmen dhe po bënte punë shumë të mirë”, tha ai.

Ish-mesfushori i Real Madridit la të kuptohet se prapa largimit të trajnerit mund të ketë pasur probleme të brendshme në dhomën e zhveshjes.

“Diçka e çuditshme duhet të ketë ndodhur në dhomën e zhveshjes që gjithçka përfundoi me shkarkimin e tij. Për mua ishte një vendim i nxituar. Diçka shumë serioze ka ndodhur”, u shpreh Guti.

Në fund, ai analizoi edhe problemet që, sipas tij, po e pengojnë Real Madridin të jetë dominues.

“Ky ekip mund të zhvillojë një ndeshje të shkëlqyer dhe më pas një tjetër shumë të dobët. Real Madridit i mungojnë shumë gjëra. Pëson shumë gola dhe barra mbrojtëse bie shpesh mbi Vinícius Junior ose Kylian Mbappe. Kjo skuadër ka ende shumë mangësi”, përfundoi ish-mesfushori i Real Madridit. /Telegrafi/