Granit Xhaka si kauboj bashkë me legjendën Terence Hill: Futbollisti shqiptar bëhet protagonist në një film në Zvicër
Kapiteni i kombëtares zvicerane me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, po shënon një tjetër sukses, por këtë herë jashtë fushës së gjelbër. Rrjeti i njohur i supermarketeve zvicerane, Denner, ka sjellë një projekt krejtësisht të pazakontë marketingu në prag të Kampionatit Botëror të Futbollit, duke bashkuar yjet e sportit me një nga legjendat më të mëdha të kinemasë botërore, Terence Hill.
Nën titullin “The Socceritos”, kompania ka realizuar një film me metrazh të shkurtër, i cili ndërthur në mënyrë origjinale zhanrin e vjetër të filmave me kauboj me magjinë e futbollit.
Përveç legjendës së filmave, 87-vjeçarit Terence Hill, për rolet kryesore janë përzgjedhur yjet e futbollit zviceran: mesfushori Granit Xhaka, sulmuesi Zeki Amdouni, si dhe futbollistja e njohur Ana Maria Markoviq.
Ngjarja e filmit shtjellohet rreth tre shokëve të patrembur - Terence, Granitit dhe Zekit - të cilët udhëtojnë nga qyteti në qytet në Perëndimin e Egër për t’u mësuar banorëve vendas lojën e futbollit. Rrugëtimi i tyre sfidohet kur në një nga qytetet përballen me një kriminel lokal, i cili përpiqet me çdo kusht ta ndalojë futbollin. Sipas skenarit, konflikti mes tyre kulmon në një bast të madh, i cili në fund vendos edhe për triumfin e këtij sporti në Perëndimin e Egër.
Për rrjetin e dyqaneve Denner, kjo tematikë nuk është thjesht një lojë. Kompania e përdor historinë e filmit si një alegori për të treguar zanafillën e saj. Ashtu si personazhet e filmit që shfaqen si pionierë që sollën futbollin në Perëndimin e Egër, edhe Denner e sheh veten si pionierin që solli konceptin e dyqaneve me çmime të lira në Zvicër. Njëkohësisht, fushata bën një paralelizëm mes evolucionit të futbollit dhe modernizimit të vazhdueshëm të filialeve dhe produkteve të këtij rrjeti.
Xhirimet janë realizuar në Spanjë, pikërisht në të njëjtat kulisa historike ku dekada më parë Terence Hill ka xhiruar filmat e tij të famshëm. Regjia e projektit iu besua regjisorit dhe skenaristit të njohur zviceran, Reto Salimbeni.
Sipas drejtuesve të marketingut në Denner, angazhimi i të gjithë protagonistëve, përfshirë Xhakën, ka qenë i jashtëzakonshëm që nga ideja e parë e deri te finalizimi. Filmi ka shënuar premierën e tij ekskluzive në kinemanë “Corso” të Zürichut dhe tashmë ka nisur të shpërndahet në të gjitha kanalet digjitale të rrjetit të dyqaneve. /Telegrafi/


