Please enter at least 3 characters.

Gjermanët janë në ankth, ylli i madh rrezikon t'i humbas të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës

Kombëtarja e Gjermanisë është në ankth për gjendjen e Nico Schlotterbeck. Mbrojtësi qendror u detyrua të largohej nga fusha në pushimin mes pjesëve gjatë fitores 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë, pasi kishte pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës vetëm pas 13 minutash lojë.

Pas ndeshjes, trajneri Julian Nagelsmann foli për gjendjen e 26-vjeçarit dhe nuk dha shumë shpresa. “Dyshohet se Nico ka një dëmtim të ligamenteve. Nuk duket mirë”, deklaroi selektori i Gjermanisë.

Sipas raportimeve të Bild, Schlotterbeck iu nënshtrua një ekzaminimi fillestar në stadiumin e Torontos dhe mjekët kanë frikë se ai mund të ketë këputur një ligament në kyçin e këmbës.

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare, ndërsa gjatë ditës së hënë është planifikuar një rezonancë magnetike që do të japë diagnozën përfundimtare.

Nëse konfirmohen dyshimet më të këqija, atëherë Kupa e Botës mund të ketë përfunduar për Schlotterbeck pas vetëm dy ndeshjesh të zhvilluara. Një mungesë disa javore do të ndikonte edhe në të ardhmen e tij te Borussia Dortmund.

Klauzola e lirimit në kontratën e mbrojtësit gjerman, e cila varion nga 50 deri në 60 milionë euro, mund të aktivizohet vetëm deri menjëherë pas finales së Kupës së Botës.

Për Schlotterbeck kanë shfaqur interes disa klube të mëdha evropiane, mes tyre edhe Real Madridi, ndaj një dëmtim i rëndë mund të ndikojë edhe në planet e tij për të ardhmen. /Telegrafi/