Please enter at least 3 characters.

Gazi amerikan si test i politikës energjetike të Kosovës

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i papërfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat mbahen më 7 qershor në Kosovë, çështja e furnizimit të mundshëm me gaz të lëngshëm natyror (LNG) nga SHBA-ja ka marrë vëmendje të shtuar.

Vëzhguesit e zhvillimeve në Kosovë konsiderojnë se vendi është vonuar në këtë drejtim, dhe se furnizimi eventual me gazin e lëngshëm amerikan i krijon vendit siguri energjetike, e cila e përforcon edhe sigurinë kombëtare.

Sipas tyre, për t’u bërë pjesë e zinxhirit të furnizimit me LNG nga SHBA-ja, kërkohet vullnet politik në Kosovë.

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet e vë më shumë theksin tek interesimi për “gazifikimin e qymyrit vendor”, partitë e deritashme opozitare i thonë qartazi “po” gazit të lëngshëm amerikan.

Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga LVV-ja, refuzoi një projekt të mbështetur nga SHBA-ja, përmes Korporatës të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për t’u lidhur me rrjetin rajonal të gazit natyror, përmes Maqedonisë së Veriut.

Asokohe, autoritetet qeveritare arsyetuan se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë” për tranzicionin energjetik të vendit.

Në periudhën e viteve 2018-2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, nxiti projektin e ndërtimit të një gazsjellësi Shkup–Prishtinë, që do ta lidhte Kosovën me rrjetin rajonal të gazit. Megjithatë, ai nuk u realizua.

LVV: Gazifikim i qymyrit vendës dhe bashkinvestim në terminalin e Vlorës

Në shkurt të 2026-tës, në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tani në detyrë, kishte shprehur gatishmërinë e vendit për t’u furnizuar me gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja.

Por, Rizvanolli, nga radhët e LVV-së – parti e cila ka qeverisur vendin në pesë vjetët e fundit – nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a ka partia e saj zotim konkret për ta bërë Kosovën pjesë të zinxhirit të furnizimit me LNG nga SHBA-ja.

Kryeministri në detyrë, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, tha në një intervistë për televizionin lokal Kanal10 se Qeveria është e “interesuar për gazifikimin e qymyrit tonë që është në sipërfaqe”.

Gazifikimi i qymyrit nënkupton procesin industrial ku qymyri shndërrohet në gaz të djegshëm, të quajtur gaz sintetik, i cili më pas mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.

“Këtë [gazifikimin e qymyrit] mund ta bëjmë me një kompani amerikane, për shembull”, u shpreh Kurti.

“E, në anën tjetër, jemi të interesuar që të bashkinvestojmë me Shqipërinë në terminalin në Vlorë”, theksoi Kurti, ndërsa nuk saktësoi se cili do të ishte përfitimi i Kosovës nga një bashkinvestim i tillë dhe nëse Kosova do ta marrë gazin e lëngshëm amerikan.

Në maj të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se ka nënshkruar një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës energjetike të Vlorës, dhe për furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm natyror, në partneritet të ngushtë me SHBA-në.

Sipas tij, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan në 20 vjetët e ardhshëm.

PDK: Gazi amerikan, projekt me rëndësi ekonomike dhe strategjike

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka nënvizuar se në rast se do të qeverisë pas zgjedhjeve të këtij muaji, do ta “lidhë Kosovën me gazin amerikan” dhe do t’i japë “fund varësisë nga importet e shtrenjta të energjisë”.

Kandidati i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, Arben Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë se partia e tij zotohet t’i qaset menjëherë dhe me prioritet projektit që sjell gazin e lëngshëm amerikan në Kosovë.

“Kosova ka nevojë që urgjentisht të ndërtojë kapacitete të reja energjetike. Një prej opsioneve më të mundshme sigurisht që është gazi amerikan. Për ne, ky projekt nuk ka vetëm rëndësi ekonomike, por ka edhe rëndësi strategjike”, shprehet Mustafa.

Ai shton se futja e Kosovës në zinxhirin e furnizimit me LNG nga SHBA-ja i siguron vendit qëndrueshmëri dhe pavarësi energjetike, por edhe e rreshton atë në linjën e interesave të aleatëve të saj.

Mustafa pret që projekti për marrjen e gazit të lëngshëm amerikan të hartohet me partnerët e Kosovës, në radhë të parë me SHBA-në.

LDK: Gazi amerikan zgjidh problemin e furnizimit me energji

Në rast se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fiton zgjedhjet më 7 qershor, projekti i gazit të lëngshëm nga SHBA-ja do të realizohet pa asnjë dyshim nga qeveria e ardhshme, thonë nga kjo parti.

Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, konsideron që është bërë dëm i madh për vendin që ky projekt nuk është realizuar deri më tani.

“Do t’i mundësonte Kosovës që, në afat të mesëm, të zgjidhte në mënyrë të qëndrueshme problemin e furnizimit me energji. Parësore është ndërtimi i centralit energjetik me gaz, për të përmbushur kërkesën vendore për energji elektrike, ndërsa në fazën pasuese do të mundësohej zgjerimi i rrjetit të gazit për nevojat e industrisë dhe të ekonomisë në përgjithësi”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, projekti i gazit nuk është alternativë ndaj energjisë së ripërtërishme, por plotësues i saj, duke krijuar stabilitet në sistemin energjetik dhe duke e bërë më të lehtë integrimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtërishme.

Hoti pohon se modelet e financimit të projektit për sjelljen e gazit amerikan në Kosovë mbeten për t’u diskutuar, por duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të sektorit të energjisë, ai shpreh bindjen se “financimi mund të sigurohet përmes një kombinimi të investimeve private, partneriteteve publiko-private dhe huamarrjes shtetërore me kushte të favorshme”.

Aleanca: Gazi amerikan, kusht për çdo bashkëqeverisje

Nga Aleanca, parti që së voni shkurtoi emrin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thonë se e kanë dëshmuar qysh herët vullnetin politik për të sjellë gazin amerikan në Kosovë, duke iu referuar nismës së ish-kryetarit Ramush Haradinaj, tetë vjet më parë.

Nënkryetari i Aleancës dhe kandidati i saj për deputet, Besnik Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se në programin e partisë është përfshirja e këtij projekti strategjik, i cili, thekson ai, Kosovës i ofron siguri energjetike, kombëtare, si dhe forcon lidhjet me aleatin strategjik, SHBA-në.

“Aleanca nuk do të hyjë në asnjë marrëveshje për të qeverisur, në asnjë rrethanë, në qoftë se nuk përfshihet taksativisht në programin qeveritar ndërtimi i centralit të gazit në Ferizaj, dhe kyçja e Kosovës në gypat e LNG-së, të cilat janë tanimë në shumicën e vendeve të rajonit”, shprehet Tahiri.

Ai shton se investimet për projektin do të jenë publike dhe amerikane.

Siguria energjetike, siguri kombëtare

Njohësit e zhvillimeve që ndërlidhen me energjetikën në Kosovë vlerësojnë se SHBA-ja po bën përpjekje që t’i mos i lërë vendet e Ballkanit Perëndimor të cenueshme përballë ndikimit rus dhe ndikimeve tjera në sektorin e energjisë.

Ish-ministri i Energjetikës i Kosovës, Ethem Çeku, konsideron se gazi i lëngshëm amerikan është një nga alternativat që mund t’i sigurojë vendit sigurinë energjetike.

“Zgjidhjen më të mirë e kemi duke përdorur gazin amerikan, të cilin qeveria e presidentit Trump po e ofron për ta larguar Ballkanin nga ndikimi i Gazprom-it rus”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se nga furnizimi me gaz amerikan, Kosova do të kishte përfitime të dyanshme: përmes gazit prodhon energji elektrike, si dhe e kursen rrymën duke e përdorur gazin për industri, prodhim dhe amvisëri.

Siguri energjetike, sipas Çekut, do të krijojë edhe sigurinë ekonomike, e cila drejtpërdrejt ndikon edhe në sigurinë kombëtare.

Inkuadrimi në zinxhirin e furnizimit me gaz të lëngshëm nga SHBA-ja është vlerësuar të jetë me rëndësi për sigurinë kombëtare edhe nga drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Në një intervistë për REL-in, ditë të parë, ai tha se “siguria energjetike sot është siguri kombëtare” dhe se “këtë Kosova po dështon që ta kuptojë”.

Kosova deri më tash ka mbetur jashtë sistemit të ndërlidhjes në rrjetin që sjellë gazin amerikan në rajon, por këtë mund ta bëjë duke u ndërlidhur me Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut, thotë Çeku.

“Unë do ta sugjeroja lidhjen përmes Shqipërisë – jo për shkaqe të natyrave politike – por ajo është një nga rajonet më të sigurta për lidhjen e mundshme, që Kosova të furnizohet me gaz. Ne, gjithashtu, duhet ta kemi të ndërtuar ndonjë bllok me gaz [për prodhim të energjisë elektrike], i cili e bën të qëndrueshëm furnizimin me energji elektrike”, thekson ai.

Çeku shton se infrastruktura për të sjellë gazin e lëngshëm amerikan në Kosovë do të jetë e kushtueshme, sepse duhet ndërtuar nga fillimi. Por, sipas tij, çdo vonesë për ta realizuar një gjë të tillë, do të ketë kosto edhe më të lartë.

“Ne, jo vetëm që jemi vonuar, por për çdo ditë që vonohemi për projektin e gazit të lëngshëm amerikan, do të humbim me qindra miliona [euro] në blerjen e energjisë elektrike, siç kemi blerë mbi 1 miliard euro energji elektrike”, shprehet ai.