Fëmijët që ecin më vonë kanë një avantazh: Do të habiteni se sa më të mirë janë ata në të ardhmen
Hulumtime të reja zbulojnë se fëmijët që ecin më vonë mund të kenë një avantazh të papritur në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre
Prindërit zakonisht ndjekin me kujdes çdo etapë zhvillimore të fëmijëve të tyre, dhe një ndër momentet më të rëndësishme është padyshim ecja. Shumica e fëmijëve fillojnë të ecin mes moshës 12 dhe 15 muajsh, dhe rreth 75% e tyre ecin në mënyrë të pavarur deri në 18 muaj. Megjithatë, disa fëmijë ecin më herët, ndërsa të tjerë pak më vonë dhe kjo, sipas shkencëtarëve, varet kryesisht nga gjenetika.
Së fundmi, një grup shkencëtarësh nga universitetet e Surrey, Essex dhe Londër kanë zbuluar një lidhje interesante midis ecjes së vonë dhe arritjeve më të mëdha akademike në të ardhmen. Sipas tyre, gjenet që ndikojnë në vonesën e ecjes mund të ndikojnë gjithashtu në suksesin në shkollë.
Po ashtu, studimi tregon se fëmijët që ecin më vonë kanë një rrezik më të ulët për zhvillimin e çrregullimit të deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), transmeton Telegrafi.
"Ne studiuam qindra mijëra ndryshime gjenetike që janë të zakonshme në popullatë," tha prof. Angelica Ronald, specialiste në psikologji dhe gjenetikë në Universitetin e Surrey-t.
"Vërejtëm se ndryshimet që lidhen me ecjen e vonshme janë gjithashtu të lidhura me nivele më të larta të arsimimit dhe një probabilitet më të ulët për ADHD. Ky është studimi i parë gjenetik që analizon në këtë përmasë sjelljen zhvillimore të foshnjave dhe momentin kur ata fillojnë të ecin."
Këto gjetje hedhin dritë të re mbi rëndësinë e ritmit individual të zhvillimit tek fëmijët dhe tregojnë se ecja e vonë nuk është domosdoshmërisht arsye për shqetësim, përkundrazi, mund të jetë një shenjë e një potenciali të madh në të ardhmen. /Telegrafi/


