FBI sjell në Kosovë agjent special dhe analist të inteligjencës
15/01/2026
Byroja Federale Amerikane e Hetimeve, FBI, ka sjellur në Kosovë një agjent special dhe një analist të inteligjencës, të cilët do të angazhohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe paralel me Policinë e Kosovës.
Të dy këta u prezantuan në pritjen që drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha, ua bëri bashkë me atasheun ligjor të FBI-së, Brendan Collins, si dhe me atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe, të enjten.
Sipas njoftimit, diskutimet janë fokusuar në planet për bashkëpunim të mëtejmë, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e koordinimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës.


