Please enter at least 3 characters.

Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri dy të shumëkërkuar, pjesëtarë të një organizate kriminale

Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të akuzuar për krime të rënda, janë ekstraduar nga Dubai në Shqipëri, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, zhvilluar nga Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Abu Dhabi.

Njëri prej të ekstraduarve është Dashnor Dumani, 40 vjeç, i cili akuzohet nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për disa vepra të rënda penale, përfshirë “Vrasjen në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhjen me armë” dhe “Mbajtjen pa leje të armëve”, të kryera në kuadër të një organizate kriminale.

Sipas hetimeve, Dumani dyshohet se ka patur rolin e ekzekutorit në “masakrën e Bradasheshit” në vitin 2018, ku u vranë tre persona, mes tyre vëllai i Erion Alibejt. Gjithashtu, në vitin 2019, ai akuzohet se ka marrë pjesë në grabitjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit dhe në djegien e një prej automjeteve të përdorura në këtë ngjarje.

Përveç këtyre akuzave, Dumani është dënuar më parë nga Gjykata e Durrësit në vitin 2016 me 4 vjet e 4 muaj burg për mbajtje pa leje të armëve, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e 4 muaj burg.

Shtetasi tjetër i ekstraduar është A. S., 36 vjeç, i cili akuzohet nga GJKKO për “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, gjithashtu në kuadër të organizatës kriminale. Sipas akuzës, ai ka pastruar para të përfituara nga veprimtari kriminale nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, në bashkëpunim me dy vëllezër të njohur për përfshirjen në krime të rënda.

Policia e Shtetit njoftoi se arrestimi i tyre në Dubai është bërë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe shkëmbimit të shpejtë të informacionit midis strukturave të specializuara.

Operacionet për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar vijojnë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë./Telegrafi/