Ekspozita në shesh, PDK kërkon llogaridhënie për financimin dhe promovimin shtetëror të ekspozitës
Partia Demokratike e Kosovës e konsideroi të papranueshme dhe skandaloze ekspozitën e fundit për masakrat e luftës 1998–1999, e cila siç thonë shtrembëron të vërtetën historike dhe cenon rëndë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.
PDK thekson se çdo përpjekje për t'i relativizuar krimet e kryera në Kosovë, për t'i manipuluar faktet apo për ta deformuar të vërtetën, është jo vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme për kujtesën kolektive dhe drejtësinë historike.
“Përderisa nga jashtë, veçanërisht në Hagë, po tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme, nga brenda rishkrimi i saj po financohet me para të shtetit dhe po promovohet nga përfaqësuesit shtetërorë. Kjo ngre dyshime serioze për përgjegjësinë institucionale dhe për standardet e verifikimit të përmbajtjeve që prekin çështje kaq të ndjeshme kombëtare”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës kërkon sqarim të plotë publik mbi mënyrën se si është përgatitur dhe miratuar kjo ekspozitë, identifikimin dhe mbajtjen përgjegjës të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në financimin dhe promovimin e saj, kërkimfalje publike ndaj familjeve të viktimave dhe qytetarëve të shtetit të Kosovës dhe hetim për elemente të mundshme të veprës penale, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, shpërdorimit të parasë publike dhe cenimit të interesit publik.
“Kosova nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj mbi deformimin e së vërtetës. Respekti për viktimat dhe mbrojtja e historisë sonë janë detyrime themelore shtetërore”, thuhet në reagim. /Telegrafi/


