“Edhe po të ëndërroja nuk do ta mendoja kështu" - flet heroi i ndeshjes Fisnik Asllani
Kosova regjistroi një fitore historike 2-0 ndaj Sllovenisë në eliminatoret për Kupën e Botës 2026, me Fisnik Asllanin që shkëlqeu me golin e tij spektakolar që hapi rrugën drejt triumfit.
Ylli i Dardanëve, pas ndeshjes, ka treguar emocionet që e mbushën pas këtij momenti të veçantë.
“Edhe po të ëndërroja nuk do ta mendoja kështu. Kështu që jam shumë, shumë i lumtur. Besoj që më mirë nuk ka mundur të shkonte për ne. Është ndjenjë e jashtëzakonshme. Besoj që ky gol na ka ndihmuar të hyjmë sa më mirë në lojë. Kështu që ndihem shumë, shumë krenar për golin sot".
"Atmosfera ka qenë shumë e mirë. Besoj që të gjithë lojtarët, të gjithë shqiptarët që kanë qenë sot në stadium, janë ndier shumë krenar dhe na ka ndihmuar atmosfera të bëjmë lojë të mirë sot”, deklaroi Asllani për faqen zyrtare të FFK-së pas ndeshjes.
Ky moment i Fisnik Asllanit jo vetëm që shpërtheu emocionet në stadium, por gjithashtu ndihmoi Kosovën të sigurojë play-offin për Kupën e Botës 2026, duke shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit kosovar. /Telegrafi/


