"E harruara", publikohet libri që rrëfen historinë e një vajze që rikthehet në vendlindje pas 20 vitesh
Gjatë këtyre ditëve është publikuar libri “E harruara”, i cili është në mbështetje të viktimave të çdo forme të diskriminimit dhe mosnjohjes.
Autori nga Mitrovica, Besim Hoti për Telegrafin ka thënë se në librin “E harruara” është një ngjarje e trilluar që nuk përkon me karaktere të vërteta nga jeta e përditshme.
Ai ka thënë se personazhi kryesor në këtë libër është Era, një vajzë që ishte braktisur nga prindërit biologjik dhe adoptuar nga prindërit jo-biologjik, shkruan Telegrafi.
Sipas autorit, Era ishte detyruar të largohej nga vendlindja e saj, Kosova, njëzet vite më herët si pasojë e mos-përfilljes së një detyrimi të babait të saj lidhur mbi një martesë të padëshiruar.
Ajo tashmë ishte një avokate e diplomuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), e cila po rikthehej në vendlindje pas 20 vitesh si avokate për të mbrojtur klientën e saj që po akuzohej për vrasje. Siç ka përshkruar autori, kjo kliente po vuante pasojat e fatit të jetës të përzgjedhur nga të tjerët për të.
Hoti ka thënë se mbrojtja e kësaj klientje ishte një arsye e fortë për rikthimin e Erës në Kosovë.
Ai është shprehur se titulli “E harruara” i atribuohet jetës së Erës si personazh, e cila pas tërë atyre viteve mungesë të prezencës së saj në vendlindje, ajo tashmë ishte një e harruar.
“Nuk është mirë të mos jesh pjesë e vendimmarrjes për zgjidhjen e mënyrës së jetesës. Kjo vlen edhe për karakteret/personazhet kryesore të librit tim që flet për një mënyrë të jetës mes dy botëve të ndryshme të një gruaje të fortë, të vendosur, të një shpirti luftarak siç është avokate Era. Në anën tjetër atë të një gruaje tjetër e cila në mungesë të temperamentit dhe mundësisë për të zgjedhur për fatin e saj, shpërfaq një realitet të hidhur të pranimit të margjinalizimit, e që në fakt simbolizon një shkatërrim individual që vjen nga shtypja”, ka shtuar tutje autori.
Hoti ka theksuar se mesazhi i këtij libri është që të gjitha vajzat dhe gratë, njësoj si avokate Era, të marrin guximin që ta ndjekin rrugën e tyre, transmeton Telegrafi.
Ai ka bërë të ditur se libri “E harruara” i dedikohet Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si formë e mbështetjes dhe përkrahjes.
“Libri i dedikohet RrGK-së (Rrjetit të Grave të Kosovës) si formë e mbështetjes dhe përkrahjes dhe si i tillë tirazhi i shtypur i librit do t’i dorëzohet RrGK-së, për procedurat e shitjes”, ka potencuar Hoti.
Tutje, autori ka deklaruar se më shumë se një vit i ka marrë kohë shkrimi i këtij libri.
Më tej, ai ka vijuar se libri është mirëpritur nga dashamirësit e leximit, por është vlerësuar edhe iniciativa për mbështetjen e pozitës së gruas në shoqëri.
“Libri është mirëpritur shumë nga të gjithë dashamirësit e librit, e në veqanti është mirëpritur iniciativa për mbështetjen dhe përkrahjen e pozitës së gruas në shoqëri. Sigurisht se pres që ky libër të gjej rrugën e vet”, ka përfunduar autori i librit “E harruara”, Besim Hoti. /Telegrafi/


