E duan shumë klube, por Osimhen befason me deklaratën e fundit
Sulmuesi i Napolit, Victor Osimhen, ka reaguar ndaj spekulimeve të shumta rreth të ardhmes së tij, duke theksuar se aktualisht është i përqendruar në shijimin e pushimeve, pas një sezoni të ngarkuar si në nivel personal ashtu edhe profesional.
Pavarësisht interesimit të raportuar nga klubet e mëdha evropiane si Chelsea, Arsenal, Juventus dhe Manchester United, 25-vjeçari nigerian nuk ka konfirmuar asgjë konkrete në lidhje me një transferim të mundshëm gjatë kësaj vere.
Osimhen pritet të largohet nga Napoli, pasi kontrata e tij përfshin një klauzolë lirimi që u mundëson klubeve jashtë Italisë ta transferojnë për një shumë prej 75 milionë eurosh.
Sipas mediave, ai ka refuzuar një ofertë të majme nga Al-Hilal në Arabinë Saudite, duke treguar preferencën e tij për të qëndruar në Evropë.
Sulmuesi, i cili bëri paraqitje mbresëlënëse gjatë huazimit të tij te Galatasaray, tha se ajo periudhë ndikoi pozitivisht në zhvillimin e tij si lojtar dhe si njeri.
"E dini, kjo është ajo që ndodh kur mbaron sezoni dhe pastaj fillojnë negociatat e transferimit të verës. Ka shumë klube që më duan, por tani për tani po përqendrohem te pushimet e mia për t'u argëtuar", deklaroi ai.
Galatasaray është ndër klubet që shpresojnë ta kenë sërish në radhët e tyre, këtë herë me transferim të përhershëm. /Telegrafi/


