E drejta e fëmijës mbi të drejtën e BABËS
E drejta e fëmijës qëndron mbi të drejtën e prindit dhe mbi çdo të drejtë tjetër, veçanërisht kur dikush, për të fituar një grusht votash më shumë, detyron një fëmijë që të përdorë gjuhë që nxit dhunë, nxit urrejtje dhe i fyen të tjerët.
Shkruan: Faton Ismajli
Teksa po i shikoja pamjet e një fëmije që recitonte në fushatën elektorale, mendja më shkoi se bëhej fjalë për përmbajtje të krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
Nuk besoja se, ndër të tjera, fëmija po i përdorte edhe fjalët: “Ju vraftë Zoti”, “Ju vraftë Allahu”, “O kriminelë”, “Kosova e mjerë”.
Pasi e shikova edhe një herë dhe e dëgjova disa herë zërin, i analizova pamjet, u binda se videoja ishte reale: një fëmijë që fliste në një tubim elektoral në një qytet të Kosovës, tubim i partisë më të madhe, cila në zgjedhjet e fundit ka marrë mbi 51 për qind të votave dhe që synon ta rrisë edhe më tej përqindjen në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në pak rreshta, një fëmijë i moshës së vajzës sime po mallkonte dhe po i bënte thirrje Zotit që t’i vriste “kriminelët”. Pra, nëse e zbërthejmë kuptimin e këtyre shprehjeve, del se gjuha e fëmijës nxit dhunë dhe urrejtje, gjë që bie ndesh me standardet e mbrojtjes së fëmijës. Në këtë rast, përgjegjësia nuk qëndron te fëmija, i cili nuk ka aftësi t’i kuptojë pasojat e fjalëve të tij, por te të rriturit që e ekspozojnë dhe e keqpërdorin, duke rrezikuar që këto fjalë t’i kthehen në pasojë afatgjatë për vetë fëmijën.
Këta rreshta, kjo “poezi”, në një sistem normal arsimor do të duhej të ishin objekt diskutimi në lëndën e edukimit medial, në njësinë që i trajton gjuhën e urrejtjes, gjuhën shpifëse e fyese si dhe gjuhën kërcënuese. Pra, si shembull se si nuk duhet të përdoret gjuha ndaj njëri-tjetrit.
Natyrisht se fëmija ka recituar pa e kuptuar përmbajtjen e fjalëve, pa analizuar se kujt i drejtohet dhe për kë po e kërkon vdekjen. Njëjtë mund të thuhet edhe për prindërit e fëmijës, të cilët, me gjasë, nuk kuptojnë se pasardhësi i tyre ishte shndërruar në mashë të një partie për t’i sulmuar rivalët politikë.
I vetmi që po dinte saktë pse po recitohej ajo poezi, cili ishte mesazhi dhe cilat ishin efektet është Albin Kurti, të cilin për gjashtë herë, me zë të lartë, përmes mikrofonit, fëmija e quajti “Albin BABA”.
Kryeministri në detyrë, i cili po garon për t’u bërë shef i Qeverisë për herë të katërt, di se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjin. Ai di se ankesa e IKD-së dhe subjekteve tjera do të miratohet dhe se veprimi do të dënohet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi përfshirja e fëmijës nën moshën 15-vjeçare është e ndaluar, sikurse është i ndaluar edhe përdorimi i gjuhës që nxit dhunë e urrejtje, që fyen e shpif.
BABA s’ka të drejtë absolute
Po bisedoja me një nxënës të klasës së VI, i cili po përgatiste një revistë për gjuhën dhe teknologjinë me emrin “shqIpjA”. Pyetja që ma bëri lidhur me poezinë e fushatës ishte se a ka të drejtë BABA ta përdorë fëmijën e tij për parti dhe për t’i sjellë vota liderit?
Përgjigjja është: JO. Jo, sepse prindi s’ka të drejtë që ta keqpërdorë fëmijën e tij. Në asnjë rrethanë, e aq më pak në një tubim elektoral, ku me ligje dhe me rregulla ndalohet përdorimi i fëmijëve për vota.
Pasojat negative për atë fëmijë mund të jenë të paparashikueshme. Prej momentit kur takohet me shoqe e shokë në shkollë, me bashkëmoshatarë në lagje, ai fëmijë do të përballet me përqeshje, stigmatizim e tallje, pasi videoja mund të mbetet përjetësisht pjesë e internetit.
Pra, nuk lejohet që të përdoret fëmija në fushatë elektorale, e sidomos të përdorë gjuhë të tillë, sepse e drejta e prindit nuk është absolute mbi fëmijën, pasi shteti, Kuvendi, deputetët kanë vendosur rregulla përmes ligjeve që e ndalojnë keqpërdorimin e fëmijëve. Madje, Kosova ka edhe Ligj të veçantë për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Ligji mbi BABËN
Dikur, pas shekullit të XV, në një rregullim primitiv, në Kanunin e Lekë Dukagjinit, e drejta e prindit ishte absolute mbi fëmijën. I njihej edhe “me rrahë, me lidhë, me burgosë a edhe me vra të birin e të bin, kanuja s’i lypë arsye”.
Tash, fatmirësisht, jemi në një situatë krejt tjetër, në një shtet ku ekziston Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, një shtet që me vullnet i zbaton konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve. Institucionet, me vetiniciativë ose të detyruara, do të obligohen që të veprojnë dhe t’i mbrojnë fëmijët nga keqpërdorimet edhe nëpër fushata elektorale.
Pra, Shteti ka obligim të mbrojë fëmijët edhe në rastet kur prindi vepron në mënyrë të papërgjegjshme dhe i ekspozon ata në kontekste të papërshtatshme.
Në një shtet ku sundon ligji dhe ku respektohen të drejtat e fëmijëve, të nesërmen do të pritej që Qendra për Punë Sociale, të kishte marrë masa ndaj prindërve dhe të kishte vlerësuar nëse ata janë të përgjegjshëm për rritjen e fëmijës.
Në këtë situatë, mediat, sidomos mediat kryesore, e kanë trajtuar me dinjitet rastin dhe nuk i kanë shfaqur fotografinë, emrin e mbiemrin dhe as hollësi të tjera me të cilat mund të identifikohet fëmija. Sidoqoftë, në media sociale vazhdojnë të qarkullojnë pamjet, ku shihet fytyra e fëmijës, ku përmendet emri e ku falënderohet nga kryeministri në detyrë për fjalët që i ka thënë.
Përtej aspekteve ligjore, ekspozimi brutal i një fëmije në fushatë elektorale duhet të shërbejë për të nxitur një debat edhe ligjor lidhur me mënyrën se si trajtohet sot privatësia e fëmijëve në media, në media sociale, në shkolla, në çerdhe e në rrugët e mbuluara me kamera private.
Të edukohen edhe prindërit se e drejta e tyre nuk është e pakufishme, kur është në pyetje privatësia e fëmijëve, të cilët më vonë mund t’u kërkojnë edhe llogari pse janë keqshfrytëzuar për qëllime të përfitimit politik a ekonomik.
Edhe unë, sikurse edhe shumica prej jush, mund të përballem nesër me një kërkesë nga fëmijët për t’i fshirë fotot, videot dhe përmbajtjet e tjera që i kam publikuar në mediat sociale, pasi ato janë publikuar pa pëlqimin e fëmijëve dhe, rrjedhimisht, mund të vlerësohet se u është cenuar privatësia. Tashmë ka raste në BE dhe ShBA, ku fëmijët e kanë fituar të drejtën e tyre përballë prindërve dhe i kanë detyruar ata t’i fshijnë fotografitë dhe videot e publikuara në rrjete sociale, pikërisht për shkak të cenimit të privatësisë së tyre.


