Durrës, përmbytet zona e plazhit
Banorët e sektorit Hekurudha ankohen për indiferencën e autoriteteve për të kthyer në normalitet situatën, që përsëritet pas fillimit të reshjeve, duke ua vështirësuar ndjeshëm aktivitetin e përditshëm.
Përmbytjet në këtë zonë nisën disa vite më parë, menjëherë pas ndërtimit të dy pallateve shumëkatëshe mbi kolektor. Kundrejt apatisë së përgjegjësve ndaj kësaj gjendjeje, banorët po mendojnë ta zgjidhin vetë këtë situatë.
Përveç hapësirave të përbashkëta, uji ka vërshuar dhe në oborret e shtëpive, ku familjarët kanë sajuar kalesa me mjete të ndryshme rrethanore. Situata rrezikon më shumë të vegjlit, të cilët kanë vështirësi për të shkuar në shkollë.
Ditën e hënë pritet që Shtabi i Emergjencave pranë Prefekturës së Qarkut të Durrësit të angazhojë Bordin e Kullimit dhe struktura të tjera ndihmëse për të bërë zhbllokimin e kanalit të ujërave të larta dhe tërheqjen e ujit me motopompë. Sakaq, situata paraqitet tejet emergjente, pasi shirat në Durrës po vijojnë pa ndërprerje. /Top Channel/


