Please enter at least 3 characters.

Dri Cena merr besimin e Bordit, i vazhdohet mandati në krye të Hidrodrinit

Bordi i Drejtorëve i KRU “Hidrodrini” Sh.A. ka vendosur t’ia vazhdojë mandatin Kryeshefit Ekzekutiv të kompanisë, Dri Cena, pas vlerësimit të performancës së tij menaxheriale gjatë periudhës 2023-2026.

Vendimi është marrë në mbledhjen e radhës së Bordit, e zhvilluar në kuadër të përmbushjes së obligimeve dhe afateve ligjore të kompanisë.

Sipas njoftimit, Bordi ka shqyrtuar rezultatet e punës dhe performancën e menaxhmentit para se të vendoste për vazhdimin e mandatit të kreut ekzekutiv.

Në përbërje të Bordit që mori këtë vendim ishin kryesuesja Qëndresa Kukaj-Prelvukaj dhe anëtarët Naim Neziri, Mjellma Vokshi dhe Ismet Fekaj.

Sipas Bordit, vendimi për vazhdimin e mandatit paraqet një shprehje të besimit institucional ndaj udhëheqjes ekzekutive dhe rezultateve të arritura në vitet e fundit, me theks në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe konsumatorët në zonën e mbulimit të kompanisë.

Bordi ka vlerësuar angazhimin e menaxhmentit në realizimin e objektivave strategjike, si dhe përkushtimin për ofrimin e shërbimeve cilësore, të qëndrueshme dhe të besueshme për konsumatorët.

Pas procesit të votimit, mbledhjes iu bashkuan edhe Zyrtari Kryesor Financiar, Besnik Zeqiraj, si dhe sekretari i kompanisë, Ardit Berisha. Në takim u diskutuan edhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin dhe zhvillimin e mëtejmë të kompanisë.

KRU “Hidrodrini” bëri të ditur se do të vazhdojë angazhimin në avancimin e standardeve të shërbimit, realizimin e investimeve infrastrukturore dhe forcimin e besimit të qytetarëve ndaj shërbimeve publike që ofron./Telegrafi.