Please enter at least 3 characters.

Çmimet në rritje, qytetarët ankohen për kosto të papërballueshme

Çmimet e produkteve ushqimore në tregun e Prishtinës, kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke vështirësuar përballimin e shpenzimeve ditore për qytetarët.

Si blerësit, ashtu edhe tregtarët thonë se shtrenjtimi është bërë i papërballueshëm, ndërsa sipas tyre, faktorë si inflacioni, mungesa e prodhimit vendor dhe rritja e çmimeve të naftës, po ndikojnë drejtpërdrejt në treg.

Njëri nga qytetarët, Ibrahim Rrustemi, thotë se çmimet janë rritur në mënyrë të vazhdueshme krahasuar me periudhat e mëparshme.

“Çmimet janë rritë, normalisht që janë rritë krahasuar edhe me vitin paraprak, edhe me muajt paraprak. Normal, inflacioni është ashtu diku 6.8% ose 6% nëse s’gaboj, krahasu me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Buxhetit normalisht që po i ndikon se çmimet kur rriten, oferta është e vogël në treg edhe kjo po ndikon edhe te të ardhurat e ekonomive familjare kur s'ka rritje të të ardhurave”, tha ai.

Sipas tij, e ardhmja e çmimeve mbetet e paqartë dhe varet nga faktorë të ndryshëm në treg.

“A mendon se ka me vazhdu rritja e njëjtë edhe brenda muajve të ardhshëm? Tash nuk e dimë as na, as ju. Por varet prej faktorëve tjerë, tash kushtet sa ka... tregu nuk asht i furnizuar shumë mirë. Kur ka ofertë të vogël, çmimet janë pak ma të larta”, shtoi Rrustemi.

Ndërkaq, qytetari tjetër, Sahit Selimi, e përshkruan situatën si alarmante, duke theksuar se rritja e çmimeve po prek ushqimet bazë.

“Sa kanë ndryshu çmimet brenda në treg? Shumë. Shumë. Shumë. Çdo send është shtrenjtë. Sidomos ushqimi, ma shtrenjtë se ushqimi tash s'ka kurgjë te ne. Sa po ndikon kjo në buxhetin e familjeve? Po qysh s'ndikon? I mjerë ai që ka vetëm një rrogë. Po çdo send ndryshon me rritjen e çmimit të naftës se ti pa transport s'ban kurgjë. Pa transport s'ban kurgjë. Transporti është numër një. Prodhim kemi pak, subvencione s'i japin bujqësisë edhe priti ushqimet... shtrenjtim çdo send”, tha ai.

Edhe qytetari Gjymshit Gashi vlerëson se rritja e çmimeve ka qenë e konsiderueshme gjatë vitit të fundit.

“Në treg brenda vitit sigurisht kanë shku 20%-30% ngritje e çmimeve të produkteve. Sa po ndikon kjo në buxhetin familjar? Po jo vetëm kjo, nuk asht vetëm kjo, janë rryma, tatimet, të gjitha shpenzimet në përgjithësi. Jeta do të thotë është shtrenjtu, kostoja do të thotë e qytetarit është rritë brenda nja 3-4 viteve sigurisht 60-70”, u shpreh ai.

Sipas tij, faktorët klimatikë, rritja e çmimit të energjisë dhe varësia nga importi, sidomos me rritjen e çmimeve të karburanteve, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të pemëve dhe perimeve.

“A mendoni se ka pasur rritje sidomos pemëve dhe perimeve kohëve të fundit? Natyrisht, t'u i pas parasysh edhe vitin e kaluar që ka qenë temperaturat ekstreme, do të thotë pemëtaria vendore ka qenë pak e mangët edhe për atë arsye sigurisht edhe tregu ynë furnizimin konkretisht e ka nga importi dhe në tërësi do të thotë ndikon ajo më së shumti edhe te ne. A mendoni se ka ndiku edhe rritja e çmimit të naftës? Po të gjitha: nafta, rryma, tatimi... në tërësi do të thotë inflacioni, shporta e qytetarit është varfëru shumë në krahasim me ngritjen e pagës dhe vlerën e parave që marrim”, u shpreh Gashi.

Ndërkohë, tregtarët në tregun e Prishtinës, që kanë folur në kushte anonimiteti, thonë se rritja e çmimeve është e dukshme dhe e shpejtë.

“1 kille patligjana 4 euro s’ka ndodh kurrë në histori”, thotë njëri nga tregtarët në pazarin e Prishtinës.

Ata theksojnë se brenda një muaji ka pasur rritje të ndjeshme të çmimeve për shumë produkte.

“4 euro [kilogrami] speci i kuq, 3 euro [kilogrami i specave] i pa djegsti, 4 euro [kilogrami i specave] i djegsti. Qe 1 muaj ka pas rritje nja 50 %”, shtuan ata.

Sipas një tregtari tjetër, rritja e çmimeve është intensifikuar edhe gjatë muajit të Ramazanit dhe mungesës së importit nga Turqia atë kohë.

“Brenda Ramazanit çdo gjë është shtrenjtu, shtrenjtohet. Mendoj javën tjetër ja nisin me u rrit çmimet. S’ka kohë të mirë, edhe atëherë në Ramazan nuk punojnë turqit, mungon importi nga Turqia. Killa e patligjanave prej 1.50 në 3.50 shumë është besoj se është rritje 100%”, tha një nga tregtarët.

Ndërkaq sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit totale është rritur 6% krahasuar me vitin e kaluar. Sa i përket produkteve, rritjen më të madhe të çmimeve, kanë pësuar ushqimet dhe pijet alkoolike me 8%, pasuar me pijet alkoolike dhe duhanin me një rritje prej 4.9%.

Sa i përket rritjes totale të çmimeve, sipas ASK-së, rritjen më të madhe kanë banesat, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera me 15.7%.