Cilat janë opsionet ushtarake të Perëndimit për Ukrainën?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore evropiane po shqyrtojnë disa opsione ushtarake për të forcuar mbështetjen ndaj Ukrainës, në kuadër të agresionit të vazhdueshëm rus.
Lajmin e ka bërë të ditur agjencia ndërkombëtare e lajmeve reuters, duke cituar burime nga takimi i zhvilluar këtë javë në Uashington ndërmjet krerëve ushtarakë të shtatë vendeve aleate.
Në diskutim janë disa skenarë që përfshijnë dislokimin e forcave tokësore evropiane në territorin ukrainas, nën një komandë të përbashkët me praninë e koordinuar të SHBA-së.
Një tjetër opsion parashikon mbështetje ajrore amerikane, përfshirë ndërtimin e një zone ndalim-fluturimi (no-fly zone), e mbikëqyrur nga avionë luftarakë amerikanë.
Burime të afërta me diskutimet bëjnë të ditur se forcat evropiane do të kenë rolin kryesor, ndërsa SHBA do të kontribuojë me kapacitete mbështetëse teknologjike dhe ajrore.
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik, Keir Starmer kanë shprehur gatishmëri për të udhëhequr një koalicion ndërkombëtar të vendeve të gatshme për ndërhyrje.
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, gjithashtu ka sinjalizuar mbështetje, ndërsa ekspertë të mbrojtjes në Berlin kanë paralajmëruar se për një ndërhyrje efikase mund të nevojiten “disa dhjetëra mijë trupa”.
Nga ana tjetër, Kremlini vazhdon të këmbëngulë në kushtet e veta për çdo proces negociues: largimin e Ukrainës nga ambiciet për anëtarësim në NATO, neutralitet ushtarak dhe ndalim të çdo pranie perëndimore në territorin ukrainas.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe mijëra viktima. /Telegrafi/


