Cila orgazëm konsiderohet më intensive te gratë dhe si arrihet ajo?
Shkenca tregon se përjetimi i kënaqësisë seksuale ndryshon nga një grua te tjetra, ndërsa faktorët më të rëndësishëm mbeten relaksimi, njohja e trupit dhe komunikimi me partnerin
Orgazma femërore për një kohë të gjatë ka qenë temë diskutimesh, keqkuptimesh dhe interpretime të ndryshme. Sot, shkenca gjithnjë e më qartë tregon se nuk ekziston vetëm një mënyrë “e saktë” për ta përjetuar kulmin e kënaqësisë seksuale.
Trupi i gruas mund të reagojë ndaj llojeve të ndryshme të stimulimit, ndërsa intensiteti i orgazmës shpesh varet nga ndërthurja e faktorëve fizikë dhe emocionalë, si afërsia me partnerin, ndjenja e sigurisë, relaksimi dhe njohja e trupit.
Orgazma klitorale, forma më e shpeshtë e kënaqësisë
Ekspertët theksojnë se orgazma klitorale është forma më e zakonshme dhe, për shumë gra, më e lehta për t’u arritur. Klitorisi është jashtëzakonisht i ndjeshëm, sepse përmban një numër të madh mbaresash nervore.
Pikërisht për këtë arsye, stimulimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i kësaj zone te shumica e grave mund të çojë në orgazëm.
Ky lloj i orgazmës shpesh është edhe përvoja e parë për shumë gra dhe mund të jetë bazë për njohjen më të mirë të reagimit seksual të trupit.
Orgazma vaginale dhe roli i pikës G
Një tjetër formë është orgazma vagjinale, e cila lidhet me stimulimin e pjesëve të brendshme të vagjinës, veçanërisht të zonës që shpesh quhet pika G.
Te disa gra, pikërisht ky lloj stimulimi mund të krijojë ndjesi të forta kënaqësie. Megjithatë, roli i saktë dhe vetë përkufizimi i pikës G vazhdojnë të jenë objekt diskutimi në literaturën shkencore, transmeton Telegrafi.
Orgazma e kombinuar, shpesh më intensive
Si më intensive shpesh përmendet orgazma e kombinuar, ose e përzier. Ajo ndodh kur njëkohësisht stimulohet klitorisi dhe zona vagjinale.
Për shkak të stimulimit paralel të disa zonave erogjene, rritet qarkullimi i gjakut dhe aktiviteti nervor, gjë që mund të rezultojë me një orgazëm më të fuqishme, më të thellë dhe më të gjatë sesa kur stimulohet vetëm një zonë.
Për këtë arsye, disa ekspertë e përshkruajnë si një nga format më të plota të kënaqësisë seksuale femërore.
A mund të arrihet orgazma “më e mirë”?
Është e rëndësishme të theksohet se nuk ekziston një orgazëm universalisht “më e mirë”. Çdo grua e përjeton ndryshe kënaqësinë seksuale, prandaj ajo që për një person është shumë intensive, për një tjetër mund të mos ketë të njëjtin efekt.
Faktorët që mund të ndihmojnë në përjetimin e një kënaqësie më të plotë janë relaksimi, ndjenja e sigurisë, komunikimi i hapur me partnerin, njohja e trupit dhe mjaftueshëm kohë për afërsi e paralojë.
Orgazma e kombinuar shpesh përshkruhet si më intensive, por kjo nuk do të thotë se duhet të jetë synimi i çdo gruaje. Kënaqësia seksuale është përvojë personale dhe nuk duhet të matet me standarde të përgjithshme.
Më e rëndësishmja është që secila grua të zbulojë çfarë i përshtatet trupit të saj, pa presion, pa krahasime dhe me ndjenjën e sigurisë fizike dhe emocionale. /Telegrafi/


