Çfarë po ndodh me sheshin “Xhorxh Bush” – punimet tani po zhvillohen në zonën që nga MKT konsiderohej si ‘trashëgimi kulturore’
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar ditë më parë pamje nga ecuria e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, duke bërë të ditur se projekti po hyn në fazën e finalizimit të disa prej segmenteve të tij.
Sipas Ramës, aktualisht në këtë hapësirë po zhvillohen punime në disa fronte njëkohësisht, ndërsa një pjesë e sheshit tashmë ka nisur të marrë pamjen përfundimtare.
"Sheshi 'Xhorxh Bush' po merr pamjen e tij përfundimtare. Po vendosen pllakat në këtë pjesë të sheshit, duke i dhënë formë një hapësire moderne për qytetarët", ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se punimet po zhvillohen në katër fronte kryesore, shkruan Telegrafi. "Në sheshin 'Xhorxh Bush' po punohet në katër fronte njëkohësisht: demolimi i shtresës ekzistuese, vendosja e rrjetit të ri të ujësjellësit, punimet në pllakën betonarme dhe vendosja e pllakave të granitit", ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës.
Rama ka akuzuar gjithashtu institucionet qendrore se një pjesë e sheshit ka mbetur e papërfunduar për shkak të statusit të trashëgimisë kulturore.
"Ndërkohë, gjysma tjetër e sheshit ka mbetur me asfalt dhe jofunksionale, sepse është 'trashëgimi kulturore', sipas kësaj qeverie", ka deklaruar ai.
Lidhur me këtë zhvillim kishte reaguar edhe ish-drejtori i Transformimit në Komunën e Prishtinës, Gezim Kastrati, i cili e kishte cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm për vazhdimin e projektit. “Një superlajm për Kryeqytetin drejt zhvillimit të projektit ‘Xhorxh Bush’.
Miratohet kërkesa e parashtruar nga Drejtoria për Transformim – Komuna e Prishtinës për pëlqim për punimet e infrastrukturës nëntokësore në sheshin ‘Xhorxh Bush’, ka shkruar Kastrati, të hënën më 18.05.2026.
Megjithatë, projekti i sheshit "Xhorxh Bush" ishte përfshirë edhe në raportin e performancës të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2025.
Sipas gjetjeve të auditorit, Komuna e Prishtinës ka kontraktuar projektin me vlerë prej 18.1 milionë euro, ndonëse në Ligjin e Buxhetit për periudhën 2025–2027 për këtë projekt ishin paraparë vetëm 1.55 milion euro.
ZKA kishte konstatuar se kontraktimi i projektit në këtë vlerë kishte bërë që Komuna e Prishtinës të marrë obligime shumëfish më të mëdha sesa mjetet e planifikuara në buxhet, duke ngritur shqetësime lidhur me mbulueshmërinë financiare të projektit. /Telegrafi/


