Please enter at least 3 characters.

Çfarë dihet për tragjedinë në Malishevë? Deklaratat e Policisë dhe Prokurorisë

Një rast tragjik ka ndodhur të dielën, e 23 gushtit në orët e vona të mbrëmjes në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua shtatzënë është vrarë me armë zjarri.

Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i saj, i cili ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë e kritike për jetën.

Rasti i rëndë tragjik fillimisht është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur të dielën, më 23 gusht rreth orës 23:20, kur Policia është njoftuar për një plagosje me armë zjarri.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor të plagosur nga arma e zjarrit

Të dyshuarve u është ofruar ndihma e parë mjekësore, ndërsa më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Rreth orës 01:10, Policia është njoftuar nga QKUK-ja se viktima femër, e moshës madhore ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Ndërkohë, hetimet lidhur me rrethanat e rastit janë duke vazhduar.

Prokuroria: Bashkëshorti dyshohet për vrasjen e gruas në Malishevë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditura detaje të reja lidhur me rastin e rëndë në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Sipas Prokurorisë, bashkëshorti i viktimës është i dyshuari për rastin, ndërsa edhe ai ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë e kritike për jetën.

“Një person i gjinisë femërore, bashkëshortja e personit të dyshuar, si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Ndërkaq, për të dyshuarin, Prokuroria ka bërë të ditur se ai është duke u trajtuar në QKUK.

“Personi i gjinisë mashkullore, po ashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit, i cili është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas njoftimit nga QKUK, i njëjti është në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën”, thuhet më tej.

Gruaja ishte shtatzënë në javën e 34-të

Viktima ishte shtatzënë në javën e 34-të. Ajo, pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra nga ekipi mjekësor, nuk ka mundur t’u përballojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në QKUK.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të rrethanave dhe sigurimin e provave relevante.

Haxhiu pas vrasjes së 25-vjeçares në Malishevë: Gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së rëndë të një 25-vjeçareje, e cila ishte në javën e 34-të të shtatzënisë.

Haxhiu ka shprehur tronditjen e saj për rastin, duke theksuar se siguria e grave duhet të jetë përgjegjësi e të gjithë shoqërisë.

“Shoqëria jonë nuk mund të jetë e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se familja dhe martesa nuk duhet të përdoren për të fshehur apo arsyetuar dhunën ndaj grave, ndërsa ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta zbardhin plotësisht rastin dhe të veprojnë me përgjegjësi.

“Kur një gruaje i rrezikohet jeta, kjo nuk është më çështje private. Është një çështje që na përket të gjithëve dhe përballë së cilës institucionet duhet të veprojnë pa vonesë”, ka shkruar u.d. e Presidentes.

Në fund, Haxhiu i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës për humbjen e rëndë. /Telegrafi/