BQK ndan 12 milionë euro për buxhetin e shtetit për vitin e tretë radhazi
Pasqyrat financiare vjetore kanë marrë opinion të pastër (pa kualifikim) nga auditori i jashtëm, duke konfirmuar se ato paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozitën financiare dhe performancën financiare të BQK-së, në përputhje me kornizën përkatëse të raportimit financiar.
Kështu u tha përmes një njoftimi për media nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ku ndër të tjera thuhet se për vitin financiar 2025, BQK ka realizuar të ardhura neto në vlerë prej 24 milionë euro.
“Në përputhje me Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (nenin 55, si dhe nenin 56, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.2), 50 për qind e të ardhurave të ndashme transferohen në si të hyra për buxhetin e shtetit, ndërsa 50 për qind alokohen në fondin e rezervave të përgjithshme të Bankës Qendrore.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në bazë të këtyre dispozitave, 12 milionë euro nga të ardhurat e ndashme për vitin 2025 do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të alokohet në rezervat e përgjithshme të BQK-së, në përputhje me kërkesat ligjore dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare institucionale.
“Ky është viti i tretë radhazi që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ndan të ardhura për buxhetin e shtetit, duke e çuar vlerën totale të transferimeve në afër 38 milionë euro. Miratimi i pasqyrave financiare me opinion të pastër nga auditori i jashtëm dhe ndarja e të ardhurave për buxhetin e shtetit reflektojnë forcimin e mëtejshëm të qeverisjes institucionale, administrimit financiar, transparencës dhe llogaridhënies së BQK-së, në përputhje me mandatin e saj ligjor”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se BQK do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të kujdesshme, duke ruajtur stabilitetin financiar, integritetin e sistemit financiar dhe qëndrueshmërinë afatgjatë institucionale.
Pasqyrat financiare vjetore, së bashku me raportin e auditorit të jashtëm, do të publikohen dhe dorëzohen në pajtim me kërkesat ligjore për raportim dhe transparencë. /Telegrafi/


