Please enter at least 3 characters.

BQK lanson Dashboard-in e statistikave të të dhënave të ndara sipas gjinisë në sektorin financiar

Lansohet Dashboard-it me të dhëna të ndara sipas gjinisë, një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe përmirësimit të politikëbërjes në fushën e gjithëpërfshirjes financiare, me fokus të veçantë në fuqizimin ekonomik të grave.

Publikimi i Dashboard-it nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka shënuar hapin e parë drejt adresimit të boshllëkut statistikor në të dhënat e ndara sipas gjinisë në sektorin financiar.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se raportimi i këtyre të dhënave ka filluar në korrik 2025, ndërsa obligimi për raportimin e tyre është vendosur përmes rishikimit të Manualit për Raportim në Regjistrin e Kredive të Kosovës, të miratuar në qershor 2025.

“Rishikimi i Manualit dhe zhvillimi i Dashboard-it janë realizuar në kuadër të iniciativës WE Finance Code, një iniciativë ndërkombëtare që po zbatohet në faza të ndryshme në më shumë se 30 vende të botës. Në Kosovë, kjo iniciativë zbatohet nën udhëheqjen e BQK-së, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se për herë të parë, Dashboard-i mundëson monitorimin e indikatorëve kyç të financimit, si numri dhe vlera e kredive, normat e interesit, kreditë joperformuese, niveli i kolateralizimit, si dhe kreditë e refuzuara, të gjitha të paraqitura sipas gjinisë.

“Këto të dhëna do të ndihmojnë në identifikimin e sfidave dhe mundësive për përmirësimin e qasjes së grave në financa dhe do të kontribuojnë në hartimin e politikave më të informuara dhe më efektive. Dashboard-i u prezantua gjithashtu gjatë pjesëmarrjes së BQK-së në panelin “Qasja në financa për gratë ndërmarrëse”, në kuadër të Konferencës "Gratë në Biznes - She Rises 2026", organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Ky aktivitet shërbeu si platformë për të theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe angazhimit të sektorit financiar në mbështetje të grave ndërmarrëse”, thuhet në njoftim.

Linku i Dashboard-it: https://bqk-kos.org/wefinance/