Bekim Sejdiu për president, Lushaku: Kryetari dhe ekipi e kanë pasur autorizimin për të negociuar dhe diskutuar emrat
Lidhja Demokratike e Kosovës po mban sot një mbledhje, gjersa do të diskutohet emri për president, i dakorduar ditë më parë ndërmjet liderit të kësaj partie Lumir Abdixhiku dhe atij të LVV-së, Albin Kurti.
Abdixhiku dhe Kurti ditë më parë u dakorduan që Bekim Sejdiu, të jetë kandidati për president.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu tha sot para takimit të LDK-së se në takimin që do ta mbajnë do të diskutohet emri i presidentit, konstituimi i Kuvendit dhe i institucioneve tjera.
E pyetur nëse kanë qenë në dijeni për emrin e presidentit dhe a janë konsultuar, Lushaku tha se kryetari dhe ekipi i tij e kanë pasur autorizimin për të negociuar.
“Ne kemi autorizua kryetarin dhe ekipin për me negociua... e kanë pasur autorizimin e plotë për të bërë edhe propozimet dhe për të diskutuar emrat... tani po e diskutojmë edhe në rreth më të gjerë...", tha ajo.
Lushaku po ashtu u pyet nëse do të votojë pro Bekim Sejdiut për president.
“Po. Domethënë, kandidati i propozuar është profesor fakulteti. Bekim Sejdiu është edhe kolegu im në Universitetin e Prishtinës prej kohësh. Është një person që ka bartur peshë edhe ka qenë pjesë e procesit të shtetformimit edhe pastaj edhe të zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë edhe të diplomacisë. Prandaj i bart të gjitha cilësitë të cilat mund t’i bartë një president...
Mendoj që edhe nga aspekti i integritetit dhe unitetit qytetar është dikush që mund ta përfaqësojë Kosovën në mënyrë shumë të denjë, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat politike, duke pasur parasysh që Kosova nuk ka institucione tash e dy vjet — institucione me fuqi të plota që bëjnë politikën e Kosovës. Është imediate që t’i kthehemi institucioneve dhe t’i sigurojmë qytetarëve një stabilitet politik...”, deklaroi Lushaku. /Telegrafi/


