BDI: Shkrirja e VLEN-it në një parti është vetëm propagandë, Alternativa vazhdon të figurojë si parti e veçantë
Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur akuza të reja ndaj VLEN, duke pretenduar se Alternativa vazhdon të figurojë si subjekt politik aktiv në Regjistrin Qendror, ndërsa në dokumentet zyrtare si kryetar i saj rezulton Zekirija Berisha.
Sipas BDI-së, Berisha, i cili aktualisht është shef i kabinetit të ministrit Bekim Sali, është regjistruar si kryetar i Alternativës, ndonëse, siç pretendojnë nga kjo parti, ndryshimi nuk është bërë publik dhe nuk është komunikuar as me anëtarësinë.
“Dokumentet zbulojnë edhe një skandal tjetër: drejtuesit e Alternativës e kanë zëvendësuar kryetarin e partisë pa e informuar as anëtarësinë dhe as opinionin publik”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga partia e Ali Ahmetit ngrenë disa pyetje lidhur me mënyrën dhe kohën e këtij ndryshimi: “Kur është zgjedhur Zekirija Berisha kryetar? Cili organ partiak e ka marrë këtë vendim? Pse ndryshimi është mbajtur i fshehtë? A e dinë anëtarët e Alternativës se kush e drejton juridikisht partinë e tyre?”
BDI e cilëson situatën si rast “skandaloz dhe me gjasë të paprecedentë”, duke pretenduar se një parti politike ka ndryshuar kryetarin në dokumentet zyrtare, ndërsa këtë fakt nuk e ka bërë publik.
Në reagim, BDI-ja e lidh këtë çështje edhe me procesin e bashkimit të partive shqiptare në kuadër të VLEN-it. Sipas tyre, pretendimi për “shkrirjen” e partive nuk është reflektuar në statusin juridik të subjekteve politike. “BESA vazhdon të ekzistojë me Bilall Kasamin kryetar. Alternativa vazhdon të ekzistojë me Zekirija Berishën kryetar. Të ashtuquajturën ‘shkrirje’ e kanë vetëm për konferenca dhe propagandë”, thuhet në kumtesë.
BDI përfundon reagimin me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj VLEN-it, duke deklaruar se “partitë, kryetarët, vulat dhe interesat vazhdojnë veçmas”, ndërsa pretendimin për bashkim e cilëson si “mashtrim nga themeli deri në majë”.


