Barcelona i bashkohet garës së ashpër për transferimin e yllit amerikan
Gara për transferimin e sulmuesit të Monacos, Folarin Balogun, është bërë edhe më interesante, pasi në garë janë futur Barcelona dhe Aston Villa.
Sipas raportimeve të L’Equipe, të dy klubet kanë shfaqur së fundmi interesim për sulmuesin e Kombëtares së Shteteve të Bashkuara, ndërsa Monaco po shqyrton të ardhmen e tij.
Megjithatë, Tottenhami është klubi që deri tani ka bërë hapin më konkret.
Spurs kanë nisur diskutimet me Monacon për një transferim të mundshëm, me klubin francez që kërkon rreth 60 milionë euro për kartonin e 25-vjeçarit.
Në anën tjetër, interesimi i Newcastle United për Balogunin raportohet se është zbehur, duke lënë më shumë hapësirë për Tottenhamin, Barcelonën dhe Aston Villën.
Balogun ka kontratë me Monacon deri në qershor të vitit 2028, por e ardhmja e tij mbetet e hapur para mbylljes së afatit kalimtar.
Sulmuesi amerikan vjen pas një sezoni mjaft të mirë, gjatë të cilit realizoi 19 gola në 43 paraqitje në të gjitha garat. Ai ishte gjithashtu një prej lojtarëve të rëndësishëm të SHBA-së në Kupën e Botës 2026.
Pavarësisht interesimit nga klubet e mëdha, Balogun aktualisht vazhdon të stërvitet normalisht me Monacon. Megjithatë, klubi francez mbetet i gatshëm të shqyrtojë ofertat për të./Telegrafi/


