Banorët e Zagorit kundërshtojnë ndërtimin e kishës në Vushtrri
Pas dorëzimit të peticioneve në institucionet përgjegjëse, banorët e fshatit Zagori janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit për ndërtimin e një kishe katolike.
Gjatë tubimit, banorët kanë theksuar se kundërshtimi i tyre, sipas tyre, nuk është i drejtuar ndaj besimtarëve katolikë, lirisë së besimit apo të drejtës për ndërtimin e objekteve fetare.
Ata kanë deklaruar se objektet e kultit duhet të ndërtohen në vendet ku ekziston një komunitet besimtarësh që ka nevojë për to.
Sipas banorëve, në Zagori popullsia është tërësisht myslimane dhe nuk ekziston një komunitet katolik, ndaj ata vlerësojnë se ndërtimi i kishës nuk përbën nevojë për komunitetin lokal.
Banorët kanë shprehur shqetësimin se projekti mund të ndikojë në harmoninë e deritanishme në zonë dhe të shkaktojë tensione apo përçarje mes komunitetit.
Ata kanë kërkuar që institucionet përgjegjëse ta shqyrtojnë çështjen dhe ta marrin parasysh qëndrimin e banorëve të fshatit. /Telegrafi/


