Arsyeja e vërtetë pse Marc Guehi e shpërfilli Oliver Glasnerin pas ndeshjes Chelsea-Crystal Palace
Një moment i pazakontë midis Marc Guehit dhe trajnerit të Crystal Palace, Oliver Glasner, u bë një nga temat më të diskutuara të javës së parë në Ligën Premier.
Pas barazimit 0-0 ndaj Chelseat në Stamford Bridge, kapiteni i Palace dukej sikur e injoroi trajnerin e tij, i cili i kërkoi të shkonte në sektorin e tifozëve mysafirë për t’i falënderuar ata.
Pamjet krijuan përshtypjen se mes lojtarit dhe Glasner kishte një tension të dukshëm, me Guehin që u largua drejt tunelit pa ndërvepruar me trajnerin. Ky veprim ngriti menjëherë spekulime se mbrojtësi mund të ishte i pakënaqur dhe se një transferim i tij drejt Liverpoolit ishte i mundshëm.
Megjithatë, situata u sqarua shpejt. Sipas gazetarit Bobby Manzi nga News Shopper, Guehi nuk po e shpërfillte trajnerin, por ishte thirrur për një test rutinë dopingu menjëherë pas ndeshjes. Këto kontrolle janë të rastësishme dhe lojtarëve u kërkohet të dorëzojnë mostra gjaku ose urine.
Manzi shtoi gjithashtu se para se të nisej drejt dhomave të zhveshjes, mbrojtësi kishte duartrokitur tifozët e Palace që kishin udhëtuar, duke treguar respekt për mbështetësit. Nuk ka asnjë shenjë që marrëdhënia e tij me Glasnerin të jetë përkeqësuar.
Edhe pse Guehi dhe shoku i tij i skuadrës, Eberechi Eze, janë lidhur me largime të mundshme, Glasner ka theksuar besimin e plotë te dy lojtarët. “Ata janë 100 për qind të përkushtuar ndaj këtij grupi dhe e kanë treguar këtë në një mënyrë të madhe”, deklaroi trajneri austriak.
Kontrata e Guehit me Crystal Palace skadon në vitin 2026. Liverpooli ka zhvilluar bisedime fillestare për të siguruar shërbimet e tij, por çmimi i lartë i kërkuar nga Palace i ka dekurajuar. Për momentin, “The Reds” janë fokusuar te mbrojtësi 18-vjeçar i Parmës, Giovanni Leoni, ndërsa një lëvizje për Guehi-n duket më e mundshme në verën e ardhshme, kur ai mund të largohet si lojtar i lirë. /Telegrafi/


