Arrestohet në Shtime një person për vjedhje të rëndë – djali dyshohet se vodhi babanë e tij
Policia e Kosovës në Shtime ka arrestuar një person të dyshuar për vjedhje të rëndë, rast i ndodhur në rrugën “14 Dhjetori”, gjatë periudhës nga 22 gusht deri më 18 tetor 2025.
Sipas raportit policor, ankuesi – një mashkull kosovar që jeton dhe punon jashtë vendit – ka raportuar se në banesën e tij kishte lënë shumën prej 24,800 euro, të cilat ka vërejtur se mungonin më 19 tetor 2025, përcjell Telegrafi.
Pas pranimit të informatës, Njësiti i Hetimeve Rajonale në bashkëpunim me krim-teknikët ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, nën autorizimin e Prokurorit të Shtetit. Gjatë ekzaminimit të vendngjarjes, nuk janë gjetur shenja thyerjeje apo hyrjeje me forcë në banesë.
Si rezultat i hetimeve intensive, më 21 tetor 2025, policia ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B.N. (34 vjeçar) – djalin e ankuesit, i cili gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar kryerjen e veprës penale.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë. /Telegrafi/


