Please enter at least 3 characters.

ARKIV prezanton ekspozitën "Residue" të artistit Burim Berisha, hapja më 18 korrik

Instituti i Artit Bashkëkohor - ARKIV në Pejë do të prezantojë ekspozitën personale të artistit Burim Berisha, të titulluar "RESIDUE", e cila hapet më 18 korrik dhe do të qëndrojë e hapur deri më 30 shtator.

E ndërtuar mbi një praktikë artistike të zhvilluar përgjatë më shumë se njëzetepesë vjetësh, RESIDUE trajton skulpturën si një proces perceptimi, ku figura nuk paraqitet drejtpërdrejt, por ndërtohet përmes gjurmëve, materialeve dhe lidhjeve ndërmjet pranisë dhe mungesës.

Përmes instalacioneve që përfshijnë tingullin, tymin, dheun dhe elemente të tjera, ekspozita zhvillon një reflektim mbi kujtesën, transformimin dhe atë që mbetet pas një ngjarjeje, personi apo objekti.

Në këtë kontekst, RESIDUE trajtohet jo si mbetje pasive, por si një gjurmë që vazhdon të prodhojë kuptime dhe të riformulojë marrëdhënien ndërmjet objektit, hapësirës dhe perceptimit.

Burim Berisha i lindur më 1980 në Pejë, jeton në Prishtinë është artist bashkëkohor dhe ligjërues, me një praktikë që ndërthur skulpturën, instalacionin dhe ndërhyrjet site-specific, duke u fokusuar në përceptimin, hapësirën dhe përvojën sensoriale.

Puna e tij është formuar jashtë studios tradicionale, në hapësira sociale hibride ku jeta, puna dhe ndërveprimi njerëzor kanë ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën e tij të të menduarit artistik, duke e orientuar drejt vëzhgimit të trupit, atmosferës dhe gjendjeve kolektive të përkohshme. Paralelisht me krijimtarinë personale, ai ka qenë aktiv si kurator dhe organizator ekspozitash, duke kontribuar në zhvillimin e skenës së artit bashkëkohor, ndërsa vetë ekspozimi i punës së tij ka qenë më selektiv si rezultat i një procesi të vazhdueshëm kërkimor.

Praktika e tij artistike eksploron kufirin mes prezencës dhe mungesës përmes materialeve dhe formave jo të qëndrueshme: dritë laserike që sugjeron traumën si përvojë trupore, skulpturë e artikuluar përmes tekstit dhe imagjinatës, zëri si formë skulpturale e padukshme, aroma dhe dheu si mediume të kujtesës dhe pranisë, si dhe tymi si metaforë e transformimit dhe zhdukjes.

Në punime të tjera përdor argjilën, gjestet trupore dhe materiale të gjetura për të trajtuar emocionin, kujtesën kolektive dhe lidhjen e trupit me mjedisin. Në tërësi, praktika e tij zhvendos skulpturën nga objekti I fiksuar drejt një gjendjeje të përkohshme perceptive, ku forma “ndodh” më shumë sesa ekziston, duke e vendosur shikuesin në një hapësirë mes reales dhe imagjinares.