AMP godet bastet sportive, masa sigurie për gjashtë punonjës policie
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan–Korçë), në kuadër të operacionit të koduar “Last Bet” dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar masa sigurie ndaj gjashtë punonjësve të policisë dhe një shtetasi, të dyshuar për organizim dhe favorizim të veprimtarisë së paligjshme të basteve sportive, duke shpërdoruar detyrën.
Në njoftim thuhet caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2025, ku nga veprimet e thelluara hetimore, rezultoi se të dyshuarit duke shfrytëzuar atributet e funksionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e lotarive të palejuara / basteve sportive, duke konsumuar elementët e veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 197/25 dhe 248 i Kodit Penal.
Lexoni njoftimin:
AMP ekzekuton masat e sigurisë ndaj 6 punonjësve të policisë dhe 1 shtetasi
Në kuadër të operacionit “Last Bet” zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u ekzekutua vendimi penal i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar:
Masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Pr. Penale, ndaj;
▶️ Nënkomisar R.T., me detyrë Specialist për krimet, pranë Stacionit të Policisë Manëz, në Komisariatin e Policisë Durrës.
▶️ Inspektor E.K., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.
▶️ Shtetasi I.T., banues në Tiranë
Masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 233 dhe 234 i Kodit të Pr. Penale, ndaj;
▶️ Komisar D.S., me detyrë Shef i Seksionit për hetimin e krimeve në volum në Komisariatin e Policisë Devoll.
▶️ Nënkomisar A.M., me detyrë Përgjegjës turni pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.
▶️ Inspektor G.B., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.
▶️ Inspektor E.D., me detyrë Trupë shërbimi operacional pranë Seksionit Special të Ndërhyrjes Taktike, në njësinë speciale “Renea”.
Në funksion të veprimeve procedurale u sekuestruan 7 telefona celularë, të cilët dyshohet të jenë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511�Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”. /Telegrafi/


