Ambasadori gjerman Rainer Rudolph viziton Telegrafin
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, së bashku me Ramize Ferati nga Departamenti për Politikë dhe Media, kanë vizituar Telegrafin.
Diplomati gjerman është pritur nga CEO i Telegrafit, Gentian Lluka, kryeredaktori Muhamet Hajrullahu dhe redaktorja Jehona Hulaj.
Gjatë vizitës, ambasadori gjerman është njoftuar me zhvillimet e fundit të Telegrafit në aspektin e përmbajtjes mediale, zhvillimit të platformës dhe projekteve që po realizohen në kuadër të bashkëpunimeve të ndryshme.
Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar edhe për zhvillimet ekonomike dhe politike në vend, si dhe për sfidat dhe mundësitë që lidhen me zhvillimin e medias në Kosovë.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe forcimit të bashkëpunimit me organizatat, institucionet dhe qeverinë gjermane, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, me theks të veçantë në projektet që ndërlidhen me informimin, zhvillimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave.
Në takim u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet mediave dhe partnerëve ndërkombëtarë në promovimin e informimit të saktë, transparencës dhe zhvillimit demokratik. /Telegrafi/


